Gazetaria që bënin të rinjtë e “Koha Jonë” në ato vite ishte idealiste, rebele dhe aventuriere.
“Pas 94 kur PD humbi përfundimisht një palë zgjedhje dhe referendumin për kushtetutën, ra në dhunë. Kishte vrasje, tortura, padrejtësi, neveri në popull. Periudha më e zezë. Njerëzit kërkonin një gjë , ishte Koha Jonë. Nuk kishte parti, opozita ishte shuar. E frikësuar, e pabesueshme. Mbeti Koha Jonë. Ajo ka kryer një mision që as ne nuk e kemi ditur, as Nikolli. Nuk e kemi ditur se çfarë po bëjmë, kemi sfiduar vdekjen, mendo të jesh në gazetë e të sfidosh vdekjen, është e rëndë.” u shpreh Frrok Çupi, Gazetar “Koha Jonë” 1993-1997
“Besoj se ka qënë një nga mediat që ka ndikuar më shumë kryesisht në opozitarizmin dhe në kontestimin e mënyrës sesi vepronte në atë kohë qeveria Berisha” u shpreh Blendi Fevziu, Bashkëpunëtor ‘Koha Jonë”1992-1997
“Koha Jonë” ato 5- 6 vite deri ne vitin ‘97 ka qënë nje aventur e jashtëzakonshme, shumë njerez i ka kthyer në profesionistë, shume të tjereve i ka dhënë një zanat një profesion, shumë të tjerë i ka berë burra, e shumë të tjerë i ka pjekur dhe mund të them me shumë kënaqësi që ai brez gazetarësh te “Koha Jone”nga viti 1991- 1997 janë ata që dominojnë prap shtypin e shkruar apo mediatik në Shqipëri” u shpreh Ben Blushi, Kryeredaktor “Koha Jonë” 1996-1997
“Koha Jonë” ka qënë manifakturë karakteri dhe jo një universitet gazetarie. Në kuptimin që ishte një gazetë që bënte gazetari të angazhuar, ishte e vetmja kundër regjimit të Berishës. Më tepër të mësonte ti rezistoje një regjimi autoritar. Ishte një gazetari e angazhuar dhe luftarake” u shpreh Andi Bushati,Gazetar “Koha Jonë” 1994-1997
“Koha Jonë” në ato vite dhe drejtori i saj Nikollë Lesi do të përndiqej gjyqeve për tia mbyllur gazetën për shkak të titujve agresivë ndaj pushtetit.
Ato vite do të arrestoheshin kryeradaktroi i gazetës Aleksandër Frangaj e zv/kryeredaktori Martin Leka. Ishte koha kur gazeta kishte dalë në mbrotje të ish liderit të opozitës Fatos Nano, i cili ishte burgosur nga pushteti i Berishës.
Por, paranoja dhe frika e pushtetit ndaj një medie që nuk njihte kufij përpos fjalës së lirë bëri që, një vit më vonë pasi gazetarët ishin liruar, një komision hetimor parlamentar do të hetonte gazetën.
Arsyeja ishte “Për hetim nga Serbia e Millosheviçit”. Me anë të një autorizmi një grup do të kontrollin gazetën për të gjetur paratë e serbëve. Një situatë krejt absurde dhe qesharake e parë në optikën e sotme, por e tmerrshme për ata që e jetonin.
“Ishte një betejë e madhe se kush do fitonte, Berisha e goditi, donte ta eleminonte, kaluan nëpër gjyqe, ua mora unë përsipër gjyqet. I fituan. Gjykata e lartë ua dha. U kthye me virulencë më të madhe, Ndërkohë kishte nisur konflikti me intelektualët dhe Berishës. Intelektualët u rreshtuan te Koha Jonë. I pari ishte Frrok Çupi që kishte qenë themelues i RD, po që u përplas individualisht me Sali Berishën. Kaloi edhe kalvaret për tu arrestuar. Ai fitoi betejë të madhe me Koha Jonë. Erdhi Blushi, si një person i pakënaqur në funksion të demokracisë. Pena e Blushit solli risi, kurse marrja e gazetës si kryeredaktor nga Armand Shkullaku solli një optikë të re.” u shpreh Spartak Ngjela, Avokat “Koha Jonë”
Por gazeta nuk ndalej. Nga njëra anë pushteti i Berishës burgoste gazetarë dhe eksponentë të opozitës socialiste, nga ana tjetër “Koha Jonë” nuk reshte denoncimet në faqet e saj për bëmat e pushtetit. Ishte koha kur firmat piramidale kishin mbirë si kërpudhat pas shiut dhe ishin filozofia e qeverisë së asaj kohe për të mbajtur njerëzit pas vetes.
“Unë jam bashkuar te “Koha Jonë” në fillim të viti 1994 dhe ishte koha kur dy kolegët tanë Martin Lekaj dhe Aleksandër Frangaj ishin burgosur . Gazeta kishte nevojë për gazetarë të rinjë, drejtori i asaj kohe Nikoll Lesi më thirri mua dhe Andi Betjen për tu bërë pjesë e gazetës” u shpreh Andi Bushati, Gazetar “Koha Jonë” 1994-1997
“Por ndikimi i “Koha Jonë” në opinonin publik ka qenë i jashtëzakonshëm. Kryetari i opozitës Fatos Nano në 1996 ishte në burg. Ai nuk zgjodhi ZP për të publikuar mocionin e tij, por zgjodhi gazetën “Koha Jonë”. Ndikimi ka qenë i jashtëzakonshëm sepse fryma opozitare ishte e fortë. Edhe në një treg të varfër gazetaresk, ishte i patrembur, i paepur, guximtar, nuk binte pre e presioneve, se mund të kishte zgjedhur rrugën tjetër të kompromisit. Nuk e zgjodhi atë, mbeti rebel, peng i mendimit të tij, peng i hovit dhe dëshirave të tij në momentet që flasim.”u shpreh Mimoza Picari, Bashkëpunëtore “Koha Jonë”1997-2001
Top Channel