Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka dorëzuar në KAS një kërkesë ankimore për Qarkun e Vlorës dhe Qarkun e Korçës.
LSI kërkon shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në qarkun e Korçës, si dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark. Sipas LSI urdhri i MSH, për një vetëkarantim të detyruar 14 ditor për të gjithë shtetasit që hynin në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësore apo detare nga Maqedonia dhe Greqia, gjatë periudhës nga data 20 prill deri më 3 maj, ka ndikuar drejtpërdrejtë në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimeve.
“Statistikat e pjesëmarrjes, referuar faqes së KQZ, janë një tregues mjaft i qartë se përse Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë ka pasur qëllim të godasë politikisht drejtpërdrejtë subjektin politik LSI. Ky fakt reflektohet edhe në rezultatin zgjedhor”, thuhet në kërkesën ankimore të LSI.
Po ashtu, LSI ka dorëzuar në KAS kërkesën ankimore për qarkun e Vlorës, ku sërish kërkohet e njëjta gjë, të shpallen të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit dhe të përsëriten zgjedhjet në këtë qark. Sipas LSI urdhri i MSH, për një vetëkarantim të detyruar 14 ditor për të gjithë shtetasit që hynin në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësore apo detare nga Maqedonia dhe Greqia, gjatë periudhës nga data 20 prill deri më 3 maj, ka ndikuar drejtpërdrejtë në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimeve.
Kujtojmë se, LSI më herët ka ankimuar gjithashtu rezultatin në qarqet e Beratit, Durrësit dhe Gjirokastrës.
Përmes Altin Kaziaj përfaqësues ligjor, fokusim më të madh të ankimimit e ka në qarkun e Beratit. Kërkesës së parë ankimore me numër 34, ku kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun Berat i shtoi edhe një tjetër atë me numër 35 ku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë të procesit të votimit në qarkun Berat dhe ripërsëritjen e tyre.
LSI kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e votave për të gjitha ZAZ-të të qarkut të Durrësit si dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore të këtij qarku, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave.
Sipas LSI në disa ZAZ të qarkut të Durrësit janë gjetur fletë votimi pa vulë. Po ashtu, sipas LSI ka pasur edhe tentativë votimi të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës dhe mungesë filmimi me kamera në një qendër votimi.
Top Channel