Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 40-vjeçarit gjatë mesditës së sotme në qytetin e Vlorës.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se kishte vetëm tre javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte.
Atentati ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.
40-vjeçari ishte pronar i bar-kafe në qytetin e Vlorës. Në ekstraktin e QKB rezulton se ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.
Mbetet e paqartë se sa persona kanë qenë në momentin që kanë qëlluar me armë drejt automjetit. Policia është në ndjekje të një makine, në të cilën dyshohet të jenë autorët e atentatit.
Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.
E shkuara e tij kriminale
Në janar të 2011, Birçaj u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.
Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke u lënë i lirë.
Top Channel