Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) sot do të zhvillojnë diskutime në Bruksel rreth një angazhimi më të fortë politik të BE-së me partnerët në Ballkanin Perëndimor.
Siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, situata në Ballkanin Perëndimor është një nga temat më të rëndësishme e cila do të diskutohet sot.
“Duam të kemi një pasqyrë të re të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe të shohim se si mund të përfshihemi më shumë në rajon”, tha Borrell.
Borrel theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në, duke shtuar se gjatë takimit do të diskutohen mënyrat “për t’i ofruar rajonit një perspektivë më të mirë dhe më të fortë evropiane”.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen përsëri të martën në formatin “Çështje të Përgjithshme”, kurse krerët e shteteve ose qeverive do të diskutojnë në qershor se si të integrojnë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor në prioritetet strategjike të BE-së.
Borrell njoftoi se do të diskutojë ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimin me SHBA-së në këtë fushë, si dhe marrëdhëniet me Rusinë, situatën në Liban dhe shtyrjen e zgjedhjeve palestineze të planifikuara për 22 maj.
Top Channel