Sulm në xhaminë Al-Aqsa/ Plagosën 163 palestinezë dhe 6 ushtarë izraelitë

08/05/2021 16:40

Të paktën 163 palestinezë dhe 6 policë izraelitë mbetën të plagosur gjatë përleshjeve në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një ndër vendet e shenjta më të rëndësishme për myslimanët dhe hebrenjtë në Lindjen e Mesme.

Policët izraelitë qëlluan me plumba gome ndërsa palestinezët me gurë e shishe.
Policë të shumtë izraelitë u dislokuan ndërsa besimtarët myslimanë po mbanin lutjet e mbrëmjes të premten.

Më herët të premten, forcat izraelite qëlluan dhe vranë dy palestinezë dhe plagosën një të tretë pasi ata hapën zjarr, në një bazë që i përkiste forcës paraushtarake të Policisë së Kufirit të Izraelit në Bregun Perëndimor.

Tensionet janë rritur në javët e fundit në Jeruzalemin lindor, i cili pretendohet nga Izraeli dhe nga palestinezët. Në fillim të Ramazanit, Izraeli bllokoi një vend popullor ku palestinezët tradicionalisht shoqërohen në fund të agjërimit të tyre gjatë gjithë ditës. Masa shkaktoi dy javë përplasje përpara se Izraeli të tërhiqte kufizimet.

Por, ditët e fundit, përplasjet kanë rifilluar për shkak të kërcënimit për dëbim nga Izraeli, të dhjetra palestinezëve në lagjen Sheikh Jarrah në Jeruzalemin lindor, të cilët janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me kolonët izraelitë, që përpiqen të marrin prona në këtë lagje.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” për tensionet e rritura dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të punojnë për çtensionimin e situatës. Gjithashtu ato shprehën shqetësim në lidhje me dëbimet e kërcënuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA