Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis tha se ka kërkuar nga Këshilli Evropian që të dënojë Rusinë për përfshirjen e saj në shpërthimin vdekjeprurës në depon e armëve në Çeki më 2014.
I pyetur se nëse gjatë samitit dyditor të liderëve të BE-së ka ngritur edhe çështjen e shpërthimit në depon e armëve, Babis tha më 8 maj për gazetarët se ai i ka bërë “thirrje Këshillit Evropian të dënojë dhe të deklarojë se veprime të tilla janë të papranueshme” dhe kjo të përfshihet në deklaratën përfundimtare të samitit të BE-së që pritet të mbahet në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji.
Babis tha se ai i ka bërë thirrje Këshillit që ta bëjë të qartë “se nuk është e mundur të pranohen veprime të tilla dhe se duhet ta shikojë sulmin ndaj një shteti të BE-së si sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare” të bllokut.
Më 17 prill, kryeministri çek, Babis kishte thënë se hetuesit nga inteligjenca çeke kishin ofruar dëshmi se përgjegjës për shpërthimin më 2014 në depon në Vrbetice “ishin anëtarë të njësisë 29155 të shërbimit rus, GRU”.
Në këtë shpërthim ishin vrarë dy persona.
Qeveria çeke më pas dëboi 18 diplomatë rusë, të cilët i konsideroi spiun, gjë që nxiti edhe përgjigjen e Moskës zyrtare.
Rusia mohon se është përfshirë në këtë shpërthim.
Top Channel