Liderët e Bashkimit Evropian njoftuan sot se kanë siguruar 1.8 milion doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanive Pfizer dhe BioNTech.
Marrëveshja, për të cilën u njoftua gjatë ditës së dytë të samitit, përfshin jo vetëm prodhimin e vaksinave, por gjithashtu, kjo marrëveshje pritet të sigurojë që përbërësit kryesorë të prodhimit të vaksinave mund të merren nga Bashkimi Evropian.
Ky njoftim vjen pas skepticizmit të shprehur lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara që të hiqen patenta e pronësisë intelektuale për prodhimin e vaksinave kundër COVID-19.
Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, më 7 maj ka argumentuar se heqja e patentës nuk do të zgjidhte problemin me furnizimin me vaksina. Ai kishte thënë se theksi duhet të vihet mbi ndarjen e vaksinave, eksportet nga shtetet ku prodhohen vaksinat si dhe investimet në fabrikat ku po prodhohen vaksinat.
Samiti dyditor i BE-së po mbahet në Porto të Portugalisë dhe për herë të parë, pas pesë muajsh, liderët e BE-së po takohen fizikisht për të diskutuar për një varg çështjes, përfshirë efektet e pandemisë.
Blloku evropian, pavarësisht se në fillim kishte një fushatë të ngadaltë të vaksinimit, tani ka kaluar shifrën prej 150 milionë dozash të administruara. BE-ja ka thënë se do të jetë në gjendje të arrijë “imunitet të mjaftueshëm” të komunitetit brenda dy muajsh.
Top Channel