Tronditet SHBA/ Shkon e armatosur në shkollë, nxënësja e klasës së gjashtë plagos 3 persona

07/05/2021 06:57

Një vajzë e klasës së gjashtë solli të enjten një armë në shkollën e saj fillore në Ajdaho dhe plagosi dy nxënës dhe një pastrues dhe më pas u çarmatos nga një mësuese, thanë autoritetet.

Tre personat e lënduar pritet të shërohen, thanë zyrtarët në një konferencë shtypi. Sherifi i Qarkut të Xhefersonit, Steve Anderson tha se vajza nxori një pistoletë nga çanta dhe gjuajti disa herë brenda dhe jashtë Shkollës fillore Rigby, në qytetin e vogël të Rigbit, rreth 145 kilometra në jugperëndim të Parkut Kombëtar Yellowstone.

Një mësuese e çarmatosi vajzën dhe e mbajti atë deri kur policia arriti në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi atë, thanë autoritetet, pa dhënë detaje të tjera. Autoritetet thonë se po hetojnë motivin e sulmit dhe po përpiqen të mësojnë se ku e kishte marrë armën vajza. Nxënësja është nga qyteti Ajdaho Falls, tha sherifi Anderson. Ai nuk e publikoi emrin e saj.

Dr. Michael Lemon, drejtori për traumën në Qendrën Rajonale Mjekësore të Ajdahos Lindore, tha se i rrituri i plagosur u trajtua nga një plagë që kishte marrë në një nga gjymtyrët dhe u nxor nga spitali. Dr. Lemon tha se plumbi kishte përshkuar gjymtyrën. Të dy nxënësit e qëlluar u mbajtën në spital gjatë natës dhe njëri prej tyre mund të ketë nevojë për ndërhyrje krirugjike, por ata janë në gjendje të qëndrueshme, tha Dr. Lemon.Njëri nga nxënësit kishte plagë në dy gjymtyrë, shtoi ai.

Rreth orës 9:15 të mëngjesit policia u njoftua për incidentin me armë. Agjenci të shumta të zbatimit të ligjit u përgjigjën dhe nxënësit u evakuuan në një shkollë të mesme aty pranë për t’u bashkuar me prindërit e tyre. “Unë dhe shoku im i klasës ishim vetëm në klasë, me mësuesin tonë, ne po studionim, kur papritmas, dëgjuam një zhurmë të madhe dhe pastaj dy krisma të tjera. Më vonë pati ulërima”, tha 12-vjeçari Yandel Rodriguez. “Mësuesi ynë doli jashtë për parë se çfarë kishte ndodhur dhe ai pa shenja gjaku.”

Nëna e Yandel-it, Adela Rodriguez, tha se ata ishin mirë, por “akoma pak të shokuar” nga të shtënat ndërsa po largoheshin nga mjediset e shkollës. “Sot ne patëm rastin më të rëndë që një distrikt shkollor mund të ketë”, tha Drejtori i Departamentit të Arsimit në Qarkun e Xhefersonit, Chad Martin. Zoti Martin tha se shkollat do të mbylleshin në të gjithë rajonin për t’u dhënë nxënësve kohë me familjet e tyre, por ai shtoi se ekspertë të shëndetit do të jenë në dispozicion të nxënësve duke filluar nga mengjesi i së premtes.

Sipas Qendrës Kombëtare të Statistikave të Arsimit, shkolla fillore në Rigbi ka rreth 1,500 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të tetën. Lucy Long, një nxënëse e klasës së gjashtë në Shkollën Fillore Rigby, i tha gazetës Post Register në Ajdaho Falls se klasa e saj u vendos në masa të jashtëzakonshme pasi u dëgjuan të shtënat me armë, duke fikur dritat dhe kompjuterët dhe duke i rreshtuar nxënësit pranë murit. Ajo tha se kishte parë një sasi të vogël gjaku në korridor, kur policia e nxorri atë dhe nxënësit e tjerë nga klasa.

Ky është sulmi i dytë në një shkollë në Ajdaho. Në vitin 1999, një nxënës i shkollës së mesme në Notus gjuajti me armë, duke plagosur një nxënës tjetër. Sipas një raporti të gazetës Deseret News, në vitin 1989, një nxënës në Shkollën e Mesme të Rigbit nxori një armë, kërcënoi një mësues dhe nxënësit dhe mori një vajzë 14-vjeçare peng. Policia e shpëtoi në mënyrë të sigurt pengun nga një kishë aty pranë rreth një orë më vonë dhe e ndaloi adoleshentin. Askush nuk u qëllua në atë incident./VOA

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA