Pasi Parlamenti miratoi sot Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta ka reaguar edhe zëdhënësi i Kreut të Shtetit, Tedi Blushi.
Në një deklaratë për mediet, Blushi bëri të ditur se institucioni i Presidencës nuk do të njohë “asnjë vendim antiligjor që do të marrë Kuvendi njëpartiak, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik”.
Kreu i Shtetit siguron qytetarët që do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.
Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.
Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul.
Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.
Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.
Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Blushi.
Top Channel