I dënuar më parë për shpërdorim detyre/ Kandidati për deputet i LSI-së del i pastër

07/05/2021 17:55

Pas procesit të verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ e ka konsideruar të pastër kandidatin për deputet në Durrës në radhët e LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit, Artur Bakun.

Vendimi i firmosur nga Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi thuhet se ai nuk mund të ndalohet dhe lejohet të ushtrojë funksionin e tij.

Në vlerësimin e Prokurorisë Baku rezulton se:

kishte kryer ndryshime në përbërësit e gjendjes civile; të ketë qenë i arrestuar apo dënuar më parë nga organet shqiptare, për veprën penale “Shpërdorim detyre”; të ketë qenë i siguruar me masë shtrënguese të sigurisë personale.

Baku në vitin 2015 ka qenë drejtor i pyjores në Fushë-Krujë ku është arrestuar për shpërdorim detyre. Drutë që ai sekuestronte i shiste tek palët e treta. Policia ka ndaluar një kamion me lëndë drusore pa asnjë dokument të cilën ja kishte dhënë drejtori i pyjores nga lënda drusore e sekuestruar. Ai ka deklaruar në prokurori se kjo ishte rruga e fundit që ai bënte prej 15 metra kub dru dhe se dy rrugë i kishte bërë gjatë muajit tetor të 2015-tës.

Drutë e sekuestruara, mbaheshin në një pikë grumbullimi në Fushë Krujë, në pronësi të shtetasit, Petrit Vena, por i cili nuk ka kërkuar qira pasi njihej me drejtorin e pyjores Artur Baku.

Ky i fundit fillimisht u kërkua nga prokuroria për t’u marrë në pyetje, por nuk u gjet në shtëpi, ku më pas Prokuroria e shpalli në kërkim.

Në 23 nëntor të 2015-tës, Baku ndalohet dhe merret në pyetje ku deklaron se nuk është përgjegjësia e tij për të bllokuar drutë, por i ka inspektoriati i policisë pyjore. Pas kësaj, gjykata jep masën e sigurisë, arrest shtëpie për Artur Bakun.

Kandidati i listës së LSI megjithatë e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit këtë episod duke shtuar se ndaj tij është pezulluar çështja penale.

Vendim-328-date-01.05.2021-_Shqyrtim-Rezultati-i-Prokurorise-per_Artur-Baku-01.05.2021

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA