“I bëj thirrje anës së djathtë t’i bashkohet kësaj nisme”, Balla për shkarkimin e Metës: Nëse nuk e bëjmë, kemi shpërdoruar detyrën

07/05/2021 11:23

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka kërkuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta duke falenderuar 49 deputetët që kanë firmosur pro këtij akti.

Balla thotë se nëse Kuvendi nuk vendos shkarkimin e presidentit, do të arrijnë në limitet e shpërdorimit të detyrës. Thirrja ime për anën e djathtë të kësaj salle është në emër të nevojës që Shqipëria ka për tu shkarkuar nga në turp që nuk e meriton”, tha Balla ndërsa zbuloi edhe rastin e presidentit gjerman që dha dorëheqjen për një deklaratë kontraverse.

Ndërsa Metën e cilëson si president banal që po sulmon Amerikën, aleatin strategjik të Shqipërisë.

 Balla: Çfarë thotë Kushtetuta, Presidenti është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Po si i drejtohet popullit: “Ti mprehin sfurqet, lopatat, sëpatat, t’i kemi gati për të dielën. Po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse edhe raketa, ka edhe Rusia. Duhet të kemi frikë nga Rusia. Ka dhe ky koreano-veriori. Edhe ai ka raketa”.

Zgjodha këto dy deklarime për të cilin kemi kërkuar shkarkimin për të nxjerrë në dukje një fakt që nuk e kundërshton më askush. Kurrë, institucioni i kryetarit të shtetit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale nga askush më parë këto 30 vite. Kemi pasur president që kanë shkaktuar debat dhe për mustaqet, por kurrë një president kaq banal. Presidenti shumë popullor gjerman, Horst Koler dha dorëheqjen në 2010 vetëm për një deklaratë kontraverse në një radio mbi misionin gjerman në Afganistan.

Më poshtë do të ndalem në argumentet juridikë për shkarkimin e Ilir Metës që janë me shumicë dhe janë renditur në kërkesën tonë për shkarkim. Por dua të rishpreh atë që thashë 3 ditë më parë në këtë foltore, ne nuk po kërkojmë shkarkimin e Metës se po kërkojmë një interes specifik. Rrini të qetë, nuk është ky qëllimi ynë. Procedura për shkarkimin e Metës është detyrim moral dhe kushtetues për të hequr turpin nga vetja dhe për t’ia lënë në derë atij që i takon.

Skandalet me thirrjen për dhunë dhe makthet e tij se SHBA do ta vrasë me raketë na malin me Gropa janë të mjaftueshme që komandanti i përgjithshëm i forcave tona të armatosura të dalë me urgjencë në lirim. Nëse nuk e bëjmë këtë shkarkim, mosveprimi ynë do të shkonte në limitet e shpërdorimit të detyrës.

Nëse Kuvendi nuk do të merrte asnjë procedurë shkarkimi dhe do të mbante në Presidencë një person me akte kaq të rënda, do ishte akt i mosdrejtësisë. Falenderoj 49 deputetët firmëtarë. Shqiptarët ndihen të turpëruar nga aktet e tij. Thirrja ime për anën e djathtë të kësaj salle është t’i bashkohen kësaj nisme në emër të nevojës që Shqipëria ka për tu shkarkuar nga në turp që nuk e meriton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA