Një qytezë e vogël peshkimi në Japoni ka ndezur debate të forta pasi shpenzoi fondet e ndihmës për koronavirusin për të ndërtuar një statujë gjigande të një oktapodi, që kushton afro 250 mijë dollarë, në një përpjekje të polemizuar për të rritur turizmin pas pandemisë.
Monumenti i madh ngjyrë rozë, me tentakulat e tij të hapura, u prezantua në mars nga qyteza bregdetare Noto në Japoninë qendrore, si një element krenarie për kuzhinën e tij lokale. Ai kushtoi rreth 27 milionë jen, ose 247 mijë dollarë, dhe u pagua përmes një granti kombëtar për të ndihmuar komunitetet e goditura financiarisht nga kufizimet anti covid.
Pavarësisht debatit për dobinë e shpenzimit publik, zyrtarët lokalë thanë se ata shpresonin që instalacioni në një pikë pushimi në rrugë, do të nxiste interesin e udhëtarëve nga vendi por edhe nga jashtë.
“Turizmi në qytetin tonë është goditur shumë nga koronavirusi. Ne donim të bënim diçka për të mbështetur industritë lokale”, përfshirë promovimin e peshkimit të oktapodëve, tha një zyrtar bashkiak. Përveç pasojave të kufizimeve kufitare në Japoni dhe thirrjeve për të kufizuar udhëtimet e brendshme, vitin e kaluar, ekonomia e qytetit është dëmtuar edhe nga ecuria jo e kënaqshme e peshkimit. Dhe në fakt duket se ideja ka funksionuar pasi sipas zyrtarëve lokalë, shumë njerëz kanë ardhur për të parë monumentin 13 metra të gjatë këtë javë gjatë një serie festash publike, me fëmijët që luanin përreth tij dhe të rriturit që postonin foto tërheqëse në mediat sociale.
Top Channel