Konferenca Vjetore “State of the Union”, McAllister: BE të mbajë premtimin për Shqipërinë dhe Kosovën

06/05/2021 19:03
Zëvendës/Presidenti i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i  Komisionit të Punëve të Jashtme, David McAllister

Zëvendës/Presidenti i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i  Komisionit të Punëve të Jashtme, David McAllister gjatë Konferencës Vjetore “State of the Union”, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, tha se vonesat e integrimit të Shqipërisë dhe mos liberalizimin e vizave për Kosovën, ulin kredibilitetin e Evropës.

Ai theksoi se BE duhet të mbajë premtimin e dhënë duke shpresuar se këtë mandat të realizohet çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duhet të funksionojmë në mënyrë efikase si komunitet, pa standarde të dyfishta brenda dhe jashtë BE-së. Sundimi i ligjit, solidariteti, etj, janë themelet mbi të cilat është bazuar fuqia e BE. Vonesat e bëra nga vetë vendet e BE ulin kredibilitetin. Këtu përmend liberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne duhet të mbajmë premtimet tona. Shpresoj që këtë mandat të bëjmë çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”,  tha McAllister.

Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd ai tha se  BE-ja ia bëri të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

“Sa i përket Kosovës, Kurti ka qenë këtu, është takuar me përfaqësuesit e lartë të BE-sëdhe ne ia bëmë shumë të qartë që dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe shpresojmë që dialogu të vijojë me një takim të nivelit të lartë mes Vuçiç e Kurtit. Sa i përket çështjes së politikës së jashtme, ne do të kemi një konferencë shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE-së dhe uroj shumë që ajo të na sjellë disa ide të reja. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë rolin tonë në botë. Së pari, na duhet një strategji e përbashkët; së dyti, të jemi shumë të bashkuar; së treti, të gërshetojmë elementet e fortë. Ky gërshetim i politikës së jashtme ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e kësaj politike”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA