Biden rrëzon vendimin e Trump, mbështet pezullimin e patentës për vaksinat

06/05/2021 13:09

Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen për pezullimin e patentës për vaksinat kundër COVID-19, duke reaguar ndaj presionit në rritje nga ligjvënës demokratë dhe më shumë se 100 vendeve të tjera, por duke zemëruar kompanitë farmaceutike.

Biden mbështeti një pezullim të përkohshëm – një përmbysje e dukshme e qëndrimit të mëparshëm amerikan- pas një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, pasuar menjëherë nga një deklaratë zyrtare nga negociatorja e tij kryesore e tregtisë, Katherine Tai.

“Kemi të bëjmë me një krizë globale shëndetësore dhe rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19 kërkojnë masa të jashtëzakonshme”, tha zonja Tai në një deklaratë, disa orë pasi tha në një aktivitet të organizuar nga gazeta Financial Times: “Koha është thelbësore”.

Aksionet e një numër kompanish farmaceutike që prodhojnë vaksina kundër COVID-19 ranë pas njoftimit. Dy nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave janë kompanitë amerikane, Moderna Inc dhe Pfizer Inc. Masa e Biden u pasua me vlerësime pozitive nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili e quajti atë një “moment monumental në luftën kundër covid-19”.

Por grupi më i madh lobist i industrisë farmaceutike paralajmëroi se hapi i pashembullte i Biden do të minonte përgjigjen e kompanive ndaj pandemisë dhe do të kompromentonte sigurinë e vaksinave. Sidoqoftë vendimi i Biden vetëm sa hap rrugën për negociatat që mund të zgjasin për muaj të tërë për të hartuar një plan specifik të pezullimit të patentave. Vendimet e OBT-së kërkojnë konsensusin e 164 vendeve anëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA