Në gjimnazet e vendit kanë nisur provimet e paramaturës.
Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” ku ne ndodhemi, provimi i paramaturës për Gjuhë-Letërsinë u zhvillua më 22 prill. Gjithsej janë 3 paraprovime mature në Gjuhë-Letërsi, Gjuhë e Huaj dhe Matematikë.
Manjola Daulle, Mësuese Gjuhë-Letërsie, “Petron Nini Luarasi”: Testet e paraprovimit zhvillohen që nga fillimet e Maturës Shtetërore në vend. Ato kanë për synim që të sistemojnë njohuritë, të evidentojnë mangësitë dhe të ndihmojnë nxënës dhe mësues ku ta përqendrojnë punën dhe studimin, në mënyrë që t’I përballojnë më sukses 4 provimet e maturës. Theksoj se këto paraprovimet që po zhvillohen tani hartohen nga mësuesit tanë të gjimnazit.
Janë 423 maturantë të Maturës Shtetërore nga gjimnazi ynë. Nga ato që kemi korrigjuar deri tani, vlerësojmë se rezultatet janë të kënaqshme.
“Mendoj se dola shumë mirë në Gjuhë-Letërsi, pasi këtë periudhë kam lexuar edhe disa libra që nuk I kisha lexuar gjatë viteve të kaluara. Pyetje të vështirë nuk kishte, sipas meje, pasi pyetjet ishin të nivelit mesatar. Pamë që të gjitha informacionet dhe të gjitha pyetjet kishin lidhje më të gjitha mësimet që kemi marrë dhe trajtuar deri tani. Pra nuk kishte asgjë që ishte jashtë materialeve të studiuara.
Paraprovimi është i rëndësishëm që ne të mësohemi të menaxhojmë kohën, përqendrimin, emocionet dhe të japim më të mirën, pasi provimi i maturës nuk bëhet përsëdyti, është vetëm një herë.
Këto paraprovimi më ndihmojnë që për testet përfundimtare të përgatitem më shumë dhe të menaxhoj kohën time, që ta çoj deri në fund me sukses testin e matures”, shprehen nxënësit.
Pjesë nga poezia “Ekstazë pranverore” nga Migjeni, fragment nga romani “Xha Gorioi” i Balzakut, si dhe eseja “Njeriu përpiqet që gjatë gjithë rrugëtimit jetësor të lërë gjurmën e tij. A bini dakord me këtë pohim?”, ishin disa nga pyetjet që ranë në provimin e paramaturës për Gjuhë-Letërsinë.
Top Channel