Një panel ekspertësh mjekësorë kanë thënë se grupi mjekësor i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona kishin vepruar në mënyrë “të papërshtatshme, të mangët dhe të pakujdesshme” në kohën para vdekjes së tij.
Sipas tyre Diego Maradona ishte lënë në fatin e tij për një kohë “të gjatë e të dhimbshme” para vdekjes së tij vitin e kaluar.
60-vjeçari argjentinas humbi jetën nga një atak kardiak më 25 nëntor, disa javë pasi kreu një operacion në kokë për një problem në venat e gjakut. Vdekja e tij solli zi kombëtare në Argjentinë dhe zemërim në komunitetin botëror të amatorëve të futbollit.
Pak më vonë prokurorët publikë në Argjentinë mblodhën një panel prej 20 ekspertësh në përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe nëse ka pasur neglizhencë nga ana e tyre.
Neuro-kirurgu i Maradonas, Leopoldo Luque, psikiatrja Agustina Cosachov dhe psikologu Carlos Diaz po hetohen së bashku me dy infermierë dhe një koordinator mjekësor.
Në dokumentin prej 70-faqesh të publikuar në fundjavë thuhej se Maradona “kishte nisur të vdiste të paktën 12 orë përpara” momentit kur u gjet i vdekur në krevat.
“Veprimi i grupit mjekësor të ngarkuar për t’u kujdesur për Diego Armando Maradona ishin të papërshtatshme, të pakujdesshme e të mangëta”.
“Ai prezantonte shenja të pagabueshme të një periudhe të zgjatur agonie, prandaj ne arrijmë në konkluzionin se pacienti nuk është monitoruar që prej orës 00:30 më datë 11/25/2020,” shtohej në raport.
Dy bija të gjigandit të futbollit kanë fajësuar mjekët për përkeqësimin e shëndetit të Maradona. Ndërkohë paneli arriti në konkluzionin se Maradona “do të kishte pasur shanse më të mira mbijetese” në një ambjent më të përshtatshëm mjekësor.
Doktorët shtonin se Maradona nuk kishte “kontroll të plotë të fakulteteve të tij mendore” prandaj nuk duhet të lejohej të vendoste ai ku të shtrohej për trajtim.
Ata shtuan se trajtimi i pacientit kishte “mangësi e parregullsi” dhe se grupi mjekësor e kishin lënë grupin mjekësor në dorë të fatit”.
Maradona është një idhull për miliona argjentinas kur drejtoi vendin e tij në kupën e dytë të botës në 1986. Maradona është gjithashtu i adhuruar në Napoli, të cilin e frymëzoi të fitonte dy titujt e vetëm të Serie A në historinë e klubit.
Top Channel