PD 220 padi kundër zgjedhjeve/ Basha takon kreun e ODIHR: Beteja vazhdon deri në fitore

03/05/2021 15:04

Pas humbjes së zgjedhjeve Lulzim Basha ka shmangur  daljet për mediat, ndërkohë sot ai u shfaq vetëm për të përcjellë shefen e misionit të OSBE-ODIHR Ursula Gacek.

Kryedemokrati nuk zbuloi  nëse ODIHR i  ka kërkuar të njohë zgjedhjet, por kishte një koment  për kërkesën e kritikëve,  të cilët i kërkojnë dorëheqjen pasi ka humbur 4 procese zgjedhore rresht.

Demokratët po mbledhin prova dhe fakte që do të përmblidhet në një  raport voluminoz për të vërtetuar se votat u blenë. Për rreth 1 orë e 30 minuta, kryedemokrati dhe përfaqësues të opozitës denoncuan para vëzhguesve ndërkombëtar parregullsitë e procesit.

Ivi Kaso: Zonat më problematike janë ato ku është përqendruar e gjithë fuqia e makinerisë shtetërore, e cila është në funksion të partisë në pushtet, zona me probleme të kriminalitetit si Elbasani dhe Shijaku kanë qenë me më shumë probleme si në votim ashtu dhe në numërim e në nxjerrjen e rezultatit.

Një grup pune i ngritur në selinë blu po përgatit dosjen e plotë të shkeljeve, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Demokratët  janë të bindur jo vetëm se kutitë do të hapen, por zgjedhjet do të përsëriten.

Ivi Kaso: Është e hapur mundësia në bazë të materialeve që do të zbulohet të kërkohet rikuperimi i ligjshmërisë nëpërmjet organizmave që siguron Kodi. Besoj materialet që do paraqiten në Prokurori dhe pastaj edhe institucionet ankimore të KQZ janë materiale që cojnë në procesin e rinumërimit dhe rivlerësimit të një numri të caktuar kutish.

Paralelisht me mbledhjen e provave, opozita pret përgjigjet nga SPAK për kallëzimet  e bëra në periudhën parazgjedhore.

Ivi Kaso: Kemi depozituar 180 kallëzime penale në prokurori të zakonshme dhe mbi 40 kallëzime në SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA