50 firma kundër Ilir Metës/ Akuzat ndaj Presidentit: Bëri fushatë, dëmtoi ekonominë, shkeli Kushtetutën

03/05/2021 15:01

Grupi parlamentar socialist ndërmerr tentativën e dytë për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta për shkelje të Kushtetutës.

Janë 50 deputetë socialistë, që kanë firmosur kërkesën për nisjen e procedurës parlamentare të shkarkimit. Në dokumentin e firmosur nga deputetët socialistë Presidenti akuzohet për shkelje të rënda të kushtetues. Sipas socialistëve ai është bërë palë në fushatën elektorale.

Deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit në atë periudhë qartazi favorizojnë partitë e opozitare dhe që njëkohësisht denigrojnë mazhorancën duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i  ka veshur Presidentit të Republikës. Me këto akte të përsëritura Presidenti ka shkelur rëndë detyrimet kushtetuese.

Socialistët si shkelje të presidentit rendisin mos moderimin e konfliktin politik që solli një person të vrarë në Elbasan.

Përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me arme dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit.

Akuza e fundit, ndaj presidentit është në lidhje me bllokimin, e ligjeve dhe emërimeve bllokim që socialistët e cilësojnë si mjet presioni që ka shkaktuar shumë dëme.

Hyrja ne fuqi e nismave ligjore, si shkak i procedurave parlamentare të shqyrtimit të dekreteve të kthimit të ligjeve nga Presidenti, konsiston në disa muaj deri në një vit. Kjo vonesë i ka sjellë dëme të konsiderueshme ekonomisë dhe financave të vendit.

Titujt e dhëna nga Presidenti dhe veçanërisht të nënshtetësisë në disa raste për socialistët janë shkelje e ligjit dhe abuzim nga Presidentit me kompetencat e tij kushtetuese. Akuza tjetër është për pengimin e emërimeve të gjykatësve apo të pranojë betimin e tyre.

Kjo sjellje abuzive ka krijuar një klimë të vështirë të funksionimit të institucioneve dhe dëme të konsiderueshme në ekonominë e vendit ashtu edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë te institucioni i Presidentit në veçanti dhe në demokracinë shqiptare në përgjithësi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA