Rojet bregdetare turke shpëtuan 11 azilkërkues të cilët Greqia I kishte shtyrë ilegalisht në ujërat turke në detin Egje, thotë shtypi vendas.
Njësitë turke ndërmorën një mision shpëtimi, pasi mësuan se një grup emigrantësh me gomone ishin në mëshirën e dallgëve, në afërsi të qytetit të Bodrumit. Të gjithë ata, fatmirësisht, janë nxjerrë të sigurt në tokë dhe u dërguan në zyrën rajonale të emigracionit.
Mësohet se rojet bregdetare turke kanë shpëtuar po kështu edhe një grup tjetër emigrantësh në Ayvacık, të cilët gjithashtu siç thuhet ishin kthyer mbrapsht prej autoriteteve greke. Turqia vetë, por edhe një sërë grupesh të të drejtave të njeriut, e kanë akuzuar Athinën për zprapsje masive dhe deportime të parregullta të emigrantëve pa i lejuar atyre akses në procedurat e azilit, ç’ka përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Kthime të tilla bien ndesh sipas tyre me marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e refugjatëve, të cilëve mund t’u rrezikohet jeta apo edhe siguria për shkak të racës, besimit, kombësisë ose përkatësisë në një grup të caktuar social apo politik.
Top Channel