Aleati opozitës së bashkuar, kreu Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, është i pari nga ky kamp që pranon verdiktin e shqiptarëve më 25 Prill dhe uron Edi Ramën për fitoren, përmes një deklarate për mediat paraditen e kësaj të shtune.
“E nis këtë qëndrim duke uruar Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Tani mbas 25 prillit jam i bindur se suksesi i mundshëm i qeverisjes së rikonfirmuar të Edi Ramës nuk është medalje për të, por një e mirë publike. Njëlloj siç jam i bindur se dështimin e Edi Ramës në qeverisje nuk e vuan kryeministri që është një funksion i përkohshëm, por qytetari shqiptar, pjesë e një shoqërie”.
Kur thotë se humbësi nuk ka forcën morale t’i japë dorën fituesit është i dënuar të humbasë përsëri, Agron Duka mesazhin ia dërgon të parit të koalicionit të bashkuar opozitar.
“E kam ndjekur Lulëzim Bashën edhe kur nuk kam pasur të njëjtin mendim, nuk kam qenë në asnjë moment dakord me djegien e mandateve, as me bojkotimin e zgjedhjeve vendore por prapë së prapë kam respektuar gjithnjë vendimmarrjen brenda koalicionit. Këto vendime të gabuara na kushtuan shumë”.
Agron Duka mendon se është koha që opozita të shohë përpara.
“Nuk mund të fajësojmë kundërshtarin politik përse përfitoi nga gabimet tona por përkundrazi, duhet të korrigjohemi për të mos i përsëritur ato në të ardhmen edhe pse unë i kam konsideruar të gabuara ato vendime e jam dakordësuar me ndërgjegje të plotë dhe për këtë fajësoj veten dhe jo të tjerët. “Na vodhën, na shtypën, na sakatuan, prandaj do vazhdojmë avazin e vjetër”, kjo nuk është strategji pozitive për Ne, por më këtë le të merret drejtësia”.
“Marr përsipër gabimet e bëra dhe i uroj kundërshtarit politik suksese në qeverisjen e ardhshme thekson i pari agrarëve shqiptarë.
Dëshiroj me gjithë zemër që Partia Demokratike dhe Lulëzim Basha të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo humbje dhe të fitojnë në ndeshjen e radhës. Urojmë fituesit për katër vitet e ardhshme dhe të punojmë të gjithë bashkë për një opozitë të fortë e konstruktive duke udhëhequr vendin në proceset integruese”.
Top Channel