Themeluesi i PD ‘sulmon’ Bashën: I ka tejkaluar provat e shembjes së plotë të ndërgjegjes, kemi nevojë për një lider

30/04/2021 21:46

Zenel Hoxha, një prej themeluesve të Partisë Demokratike, përmes një postimi në rrjete sociale, ka reaguar ashpër ndaj krydemokratit Lulzim Basha, pasi humbi zgjedhjet e 25 prillit.

Hoxha, gjatë një proteste të zhvilluar pasdite para selisë blu i bënte thirrje të gjithë atyre personave që e ndjejnë veten demokrat, të veprojnë tani!

Këto deklarata Zenel Hoxha i përsërit edhe me këtë status në “Facebook”.

“Kryetari aktual i Partisë Demokratike i ka tejkaluar provat e shembjes së plotë të ndërgjegjes së vet, e cila s’paska asgjë prej demokrati”, shkruan Hoxha.

Postimi i plotë:

Të gjithë demokratët e vërtetë duhet të reagojnë tani.
Shqipëria e sotme e ka ves deformimin e demokracisë. Por ky është ves që mbetet në fuqi jo prej anëtarësisë së partive, por prej udhëheqësve që humbasin ndërgjegjen e reflektimit.

Kryetari aktual i Partisë Demokratike i ka tejkaluar provat e shembjes së plotë të ndërgjegjes së vet, e cila s’paska asgjë prej demokrati.

Zoti Basha po kërkon t’i shndërrojë gabimet madhore të vetvetes në fat të pandryshueshëm të Partisë Demokratike. Por, demokratët janë mësuar të rrëzojnë regjime dhe i refuzojnë uzurpimet. Koha ka mbaruar dhe orën e gjatë nuk e ka më në dorë kryetari punë-pa-kryer zoti Basha.

Partia Demokratike ka nevojë për lidership të ri. Është nevojë imediate. Nuk mund të jetë kurrësesi opozita e vendit në pritmëri që i japin funksionin e një paterice përballë kundërshtarit të shquar për vjedhje dhe shëmtime të shtetit dhe demokracisë.

Socialistët dhe kreun e tyre i ka demaskuar ndërgjegjia anti-institucion në këto dy mandate, por nuk i ka shembur dhe nuk i përzuri dot nga pushteti ndërgjegja e pafuqishme e Lulzim Bashës, kryetarit pa suksese.

Opozita nuk ka nevojë për rithemelim, por për largim të një njeriu dhe ardhjen e një fryme të mirëfilltë shpresëdhënëse për demokratët dhe për të gjithë shqiptarët. Kjo duhet bërë tani dhe jo kur të caktojë datën humbësi qe ka humbur masën dhe sensin e gjithçkaje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA