Pas deklaratës së kryetares së LSI-së, ka reaguar zëdhënësi i Presidentit Meta, i cili shkruan se Meta falenderon kryetaren e LSI-së, për reflektimin e saj, lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.
Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.
Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e shqiptarëve.
Me këtë deklaratë të zëdhënësit bëhet e qartë se presidenti nuk do të japë dorëheqjen ashtu siç e kishte lajmëruar nëse do fitonte Kryeministri Rama në zgjedhje. Dhe për të justifikuar këtë mosmbajtje fjale, presidenti mbështet pretendimin e LSI-së se votat e kësaj partie janë vjedhur.
Top Channel