Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Elbasanit në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.
Rama u shpreh se ndodhet aty për të kërkuar mandatin e tretë për PS sepse është i pakënaqur dhe kërkon të bëjë akoma më shumë gjëra për Shqipërinë.
Kryeministri përmendi bukuritë natyrore të vendit tonë duke thënë se “dora e mbrapshtë e robit e pengoi që të bëhet realitet”.
Edi Rama: Unë nuk dua t’ju flas për çfarë kemi bërë, por përse jam këtu sot. Për çfarë arsye? Unë sot këtu dhe në këtë ndeshje ju kërkoj ju dhe shqiptarëve mbështetjen për një mandat të tretë për PS. Jam këtu sepse jam i pakënaqur. Jam këtu sepse të gjitha gjërat që kemi bërë nuk janë të gjitha ato që ne mund, duhet dhe do të bëhen për Shqipërinë.
Jam këtu sepse kemi një luftë të madhe për të fituar, kundër pasojave të tërmetit dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga tuneli i pandemisë dhe për të qenë ne Shqipëria e vogël një vend nga më të shpejtët dhe më të fortët në luftën me armikun e padukshëm.
Mbyllni sytë për një moment dhe përfytyroni Shqipërinë, një vend që të ketë të gjitha, dy dete, lumenj, male me dëborë, kodra e fusha të jashtëzakonshme, gjithë ato liqene e si ka mundësi pse nuk jemi ne sot në atë majë. Atë çka Zoti ka imagjinuar për shqiptarët kur e pikturoi sipas dëshirës Shqipërinë, dora e mbrapshtë e robit e pengoi që të bëhet realitet, e pengoi përgjatë historisë duke ndërhyrë gjithmonë në ato momente kur i gjenin shqiptarët të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur, gati gati të dorëzuar dhe u ofroi rrugë të shkurtra dhe nuk e ka asnjë popull tjetër thënien që “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”.
Sot ne jemi këtu për të shkuar pas pak ditësh në një provë të madhe të karakterit tonë.
Top Channel