Një person mbeti i plagosur brenda një zyre elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë mbrëmjen e së hënës, por është jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për një vend parkimi pranë zyrës elektorale të Partisë Demokratike ku edhe ndodhi ngjarja.
Autori i dyshuar, Ndriçim Tahiri, i njohur ndryshe si Ndriçim Jonuzi ishte konfliktuar me Bledi Okshtunin dhe më pas ai e qëlloi të riun me armë zjarri dhe e plagosi në këmbë. Burime për Top Channel tregojnë se autori se është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit në një vend të BE-së. Ai ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma ne vitin 2007 me vendim të Gjykatës së Torinos, Itali dhe është dënuar me 8-vite burgim për vrasje.
Pas ngjarjes në Kavajë mbërriti menjëherë kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha, i cili tha se ky ishte një atentat ndaj Partisë Demokratike.
“Atentat kundër PD dhe Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që ai e di që humb, një njeri që ka humbur çdo lloj kufiri njerëz, tregojnë se këtij regjimi i ka ardhur fundit, kërkojnë të frikësojnë Kavajën dhe PD-AN, kërkojnë të na mbyllin gojën. Nuk na janë mbyllur gojën kurrë, do të marrin përgjigjen me votë të dielën nga Kavaja. Të tilla akte kanë shënuar akte të mëdha, tregojnë humbjen e toruan nga një grusht njerëzish që e dinë që shqiptarët janë të vendosur që t’i largojnë”- tha Basha.
Duke i çuar një mesazh kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes në Kavajë dhe arrestimin e autorit.
“Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! Lulzim Basha duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa Ilir Meta duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”, deklaroi Rama.
Ndërkohë në mbrëmje vonë në Kavajë mbërriti edhe Presidenti Ilir Meta.
Top Channel