Kryetari i bashkisë së Kavajës Redjan Krali reagon ndaj ngjarjes që trazoi ujërat e politikës shqiptare pak ditë para zgjedhjeve.
Në një foto të publikuar nga PD ai shfaqet në një tavolinë miqësore bashkë me tre personat e shpallur në kërkim për plagosjen e aktivistit të PD-së, dy prej të cilëve janë vartës të tij, ndërsa autori i plagosjes me armë zjarri, një person i dënuar më parë nga drejtësia italiane.
Në një prononcim për Top Channel, Krali mohon të ketë lidhje me ta, përveçse si qytetarë.
”Nuk kam lidhje me ta, njihemi si bashkëqytetarë. Vjet në verë kam pasur një ftesë nga drejtori i policisë bashkiake dhe i kam shkuar me qejf. Aty ka qenë dhe Çimi. Një darkë normale, ndoshta ka qenë dhe iftar. E njoh Jonuzin si qytetar të Kavajës, si të gjithë të tjerët. Unë jam lindur e rritur në këtë qytet“.
Krali mohon dhe zërat në qytet se Jonuzi ka përfituar tendera nga bashkia e Kavajës.
Ndërkohë, në lidhje me vartësit e vet ai shprehet se pas informimit mbi ngjarjen ka vendosur pezullimin e vartësve të tij, përkatësisht, Markel Shtylla me detyrë kryeinspektor i policisë bashkiake dhe Dorjan Troplini, polic bashkiak.
”Nuk ka motiv politik. Ka qenë një sherr banal i ndodhur në gjaknxehtësi e sipër“, deklaron Krali për ngjarjen, ndërsa shprehet se në dijeninë e tij drejtuesi i policisë bashkiake ka qenë prezent po nuk ka vepruar fare.
”Gjithsesi do të jenë organet e tjera që do e vendosin këtë. S’më vjen mirë që Meta dhe Basha po e ngatërrojnë me politikën ngjarjen që s’ka pas lidhje me të”.
Top Channel