Mbretëria e Bashkuar do të nisë kërkimet për anti-viralë, që do të trajtonin sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili tha se deri në fund të vitit, vendi synon të ketë “së paku dy trajtime efektive në shtëpi”.
Johnson tha se vaksinat kundër sëmundjes dhe testimi i rregullt janë gjëra kyçe për të rikthyer normalitetin deri në verë, por shtoi se Qeveria e tij do t’i mbështesë edhe kërkimet për terapi, që do të ndihmojnë luftën kundër pandemisë.
“Task-forca jonë e re për anti-viralë do të përpiqet të zhvillojë trajtime inovative, që mund t’i bëni në shtëpi, për të ndaluar sëmundjen COVID-19”, tha Johnson në një konferencë për media në Londër.
“Këto mund të sigurojnë një mbrojtje tjetër jetike kundër rritjes së infeksioneve në të ardhmen dhe të shpëtojnë më shumë jetë”, shtoi ai.
Të gjithë mbi 50-vjeçarët në Britani morën një dozë të vaksinës
Këshilltari kryesor shkencor i Qeverisë britanike, Patrick Vallance, tha se anti-viralët në formë tablete mund të ndihmojnë mbrojtjen e njerëzve që nuk mund të vaksinohen.
Sipas tij, ato do të jenë një “shtresë e mbrojtjes” edhe kundër varianteve të reja të koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar, dhjetorin e kaluar, është bërë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit.
Deri më 20 prill, 2021, mbi 33 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të një vaksine.
Ky vend ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Evropë: mbi 127,000.
Top Channel