Me qindra militantë të Partisë Demokratike janë grumbulluar në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, ku pasditen e sotme një person me precedentë kriminalë ka qëlluar dhe ka lënë të plagosur një 27-vjeçar.
E pranishme është edhe Grida Duma, kandidate për deputete në këtë qytet, e cila është shprehur për mediat se drejtësia duhet të veprojë dhe duhet të merren masa për fajtorët. Duma shton më tej se: “nuk do e kalojnë në heshtje këtë ngjarje”, duke shtuar se Kryeministri Rama ka humbur toruan dhe kontrollin mbi Shqipërinë në këto 8 vite qeverisje.
Grida Duma: Këtu s’ka koment, duhet të mbajmë qëndrim të gjithë. Moment i trishtë për Shqipërinë dhe demokracinë. Nuk ka koment, ka veprime. Drejtësia duhet të veprojë dhe për fajtorët duhet të merren masa. Nuk do ta lemë dhe nuk do e kalojmë heshtje këtë ngjarje. Padyshim që, përfshirja e dy forcave të policisë dhe përfshirja e një personi që ka marrë tendera nga bashkia e Kavajës, i cili mban dhe dy mbiemra, ky është një mesazh për të gjithë grupet kriminale. Sigurisht që Rama e ka humbur toruan, vetëdijen, e ka humbur kontrollin mbi Shqipërinë për tetë vite, po e humb kontrollin se po merr humbjen tani. Nuk do shkojmë kështu drejt fitores, do bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje demokratike dhe të qeta. Kjo është një ngjarje që nuk ka lënë pa marrë masa dhe drejtësinë e merituar.
E pyetur nëse është në dijeni në lidhje me dinamikën e ngjarjes në Kavajë, Duma tha se ka qenë një tendencë për sherr nga hiçi.
-Keni dijeni si ka qenë dinamika e kësaj ngjarje?
Grida Duma: S’ka dinamikë, është tendencë për sherr, që domethënë nga hiçi. Kanë ardhur këtu i kanë thënë lëviz makinën apo shtyhu, djali është futur brenda për të mos vijuar sherrin, ata janë futur brenda tre veta, njëri me pistoletë dhe i ka gjuajtur i ulur. S’ka dinamikë! Kjo është një ngjarje që duhet trajtuar ashtu siç është. Faktet janë që kjo ka iniciativa politike dhe kjo është arsyeja madhore pse ju shikoni kaq njerëz këtu, të cilët nuk e pranojnë që fitorja në Kavajë të numërohet nën ankthin e dhunës dhe nuk ka për të ndodhur, pavarësisht se dikush e ka ankthin e madh që po humb, që është Edi Rama.
“Është sekretari i PD-së, është një nga djemtë që qëndronte si shumë të tjerë në shtabin 4 dhe 5, dhe është djalë i një familje të madhe që njihet dhe që themi ne pishtarë demokracie”, shton më tej Duma.
Top Channel