Shqipëria, 942 mijë ton perime/ FAO na rendit në vendet e para në rajon për prodhimet bujqësore

16/04/2021 20:35

Shqipëria zë vendin e parë në rajon për prodhimin e perimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë vendi ka prodhuar në total 942.2 mije ton perime, duke lënë pas Bosnje Hercegovinën, Serbinë e Maqedoninë e Veriut.

Referuar të dhënave, sasia më e madhe e prodhimeve bujqësore dominohet nga domatja që për vitin e kaluar fermerët prodhuan mbi 299 mijë ton, teksa nuk mbetet pas prodhimi i produkteve të tjera si bostanorët.

Konkurrues vendi paraqitet edhe në drejtim të prodhimit të frutave. Në rajon vendin e parë e kryeson Serbia me 1.8 milionë ton fruta të prodhuara një vit më parë, e në listë pas saj sipas FAO vjen vendi ynë me 810.7 mije ton.

Bujqësia ka një ndikim jo të vogël në ekonominë e vendit. Pesha e saj u rrit ndjeshëm veçanërisht gjatë vitit të shkuar në 19.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo edhe si rrjedhojë e rënies së fortë që pësuan sektorët e tjerë shërbimet e tregtia për shkak të pandemisë.

Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë periudhës janar-shkurt shitjet e produkteve bujqësore shënuan një rritje me 23% në raport me vitin 2020, ndërsa zgjerimin më të madh të eksporteve e shënuan zarzavatet, fruta perimet si dhe bimët mjekësore.

Kjo tendencë në rritje e eksporteve të prodhimeve bujqësore i atribuohet kryesisht edhe kërkesës së lartë për produkte ushqimore në tregjet e huaja.

Megjithatë, pavarësisht ndikimit të madh në punësim dhe peshës në ekonomi bujqësia vijon të mbetet një nga sektorët me produktivitetin më të ulët si dhe nga më pak të financuarit nga sektori bankar, kjo edhe si rrjedhojë e problematikave që mbart.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA