Punonjësi i policisë, David Medani, si dhe tre shtetasit, Gjon Fufi, Rudolf Fufi, Nikoll Fufi, do të dalin gjatë ditës së sotme para Gjykatës së Kurbinit për tu njohur me masën e sigurisë.
Efektivi i policisë David Medani u arrestua mëngjesin e së mërkurës dhe ndaj tij janë ngritur akuza “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu ne lidhje me ngjarjen u arrestuan edhe Gjon Fufi, 40 vjeç, Nikoll Fufi (e ka ndryshuar mbiemrin në Vorfi), 36 vjeç dhe Rudolf Fufi, 31 vjeç, të tre lindur e banues në Mamurras.
Gjykata e Kurbinit është blinduar nga forcat e FNSH siç mund të shihet në pamjet e mëposhtme.
Askush nuk i identifikon me emra të përveçëm të dyshuarit e familjes Fufi në Mamurras, tre prej të cilëve përfunduan në pranga për sulmin me shkopinj bejsbolli ndaj një polici të postës, i cili pak orë më herët kishte kontrolluar një lokal në pronësi të tyre për lojërat e fatit.
Vetë efektivi i prangosur, David Madani ka identifikuar njërin prej tyre në këtë grup ç’ka ka sjellë zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. I gjendur vetëm dhe i veshur civil, mbasi kishte përfunduar shërbimin dhe po kthehej në banesën me qira, drejt policit David Madani u afruan me shpejtësi dy automjete.
“Njëri porsche cayenne me xhama të zinj dhe tjetri Audi Q5, prej andej zbritën 6 persona me shkopinj bejsbolli në duar dhe u drejtuan drejt meje”, rrëfen oficeri në dëshminë që TCH disponon ekskluzivisht.
“Mes tyre njoha Mir Fufin për të siguruar mbrojtjen nxora armën e shërbimit nga brezi, e mbusha dhe qëllova në ajër dy herë duke ju thënë mos u afroni, mos bëni gabim të afroheni. Ata pavarësisht thirrjeve, të acaruar më goditën”, shton oficeri i policisë. Gjatë gjithë kohës që agresorët po e godisnin efektivin dhe që më pas rezultuan se ishin Nikoll, Rudolf dhe Gjon Fufi, sipas qëndrimit të tij , ai gjuajti tre herë të tjera në mënyrë të pavullnetshme dhe të pakontrolluar duke plagosur dy kolegët që gjendeshin me shërbim në afërsi të vendngjarjes si dhe njërin nga sulmuesit e identifikuar si Nikoll apo Mir Fufi. Dy policët e plagosur nga rikosheti janë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja të cilët tregojnë se gjendeshin në distancë në çastet e përplasjes.
Top Channel