Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e një tjetër blloku të madh banimi në Tiranë.
Bëhet fjalë për zonën e njohur si blloku i Juridikut, i cili ndodhet pranë Fakultetit Juridik dhe kufizohet me shkollën “Petro Nini” dhe Gardën e Republikës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministrin Pandeli Majko inspektuan punimet e nisura për sistemimin e këtij blloku ndër më të vjetrit në Tiranë ku kishte nevojë për ndërhyrje kapilare.
“Një nga problemet kryesore të këtij blloku kanë qenë kalimet e këmbësorëve, ndaj i gjithë blloku shoqërohet me trotuare. Kemi rrugë të cilat rikonstruktohen, sheshe të reja rekreative për fëmijët, kemi kanalizime të ujërave të bardha të ujërave të zeza, ndriçim, gjelbërim, gjithçka që mund ta bëjmë këtë vend sa më mirë”, shpjegon drejtuesja e punimeve.
“Fillimi i punës në këtë bllok është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët. Ju siguroj që komuniteti do jetë bashkëpunues. Mendoj që ky projekt është vërtet i veçantë, pasi hapja e disa rrugëve të reja do të lehtësojë jashtëzakonisht lëvizjen e mjeteve”, u shpreh Majko.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se zona e quajtur dikur “Tirana e Re” ka avancuar tanimë 70 vite përpara, pasi kryeqyteti po zgjerohet në të tjera kahe.
“Sot “Tirana e Re” e 70 viteve më mbrapa po zhvillohet te Bulevardi i Ri, te Bregu i Lumit, megjithatë nuk avancojmë dot në lagje e terrene të reja, në momentin që nuk kemi rregulluar këtë pjesë të Tiranës që është zemra që pulson më shumë në qytet, e gjithë zona e Bllokut, zona afër liqenit. Kjo kishte ngelur si një hapësirë e ndërmjetme, pra kemi rregulluar liqenin, pjesën qendrore të Tiranës dhe ndërkohë zona e Juridikut ka pritur prej kohësh një investim”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se në verë banorët do të kenë të dorëzuar projektin dhe lagjja e tyre do të jetë njëjtë me të gjitha blloqet e tjera të rehabilituara nga Bashkia e Tiranës.
“Ajo që u kërkoj banorëve është që teksa ne punojmë me një sistem kapilar, pra rrugicë më rrugicë, të ketë bashkëpunim. Nuk do bëjmë vetëm estetikë, do i hyjmë me themel. Momentalisht jemi mbi kanalizimin që sapo është mbushur, do të thotë që do i bëjmë punët mbarë, kanalizim të ujërave të bardha, të zeza, të kemi mundësi të vëmë ndriçim LED të sistemojmë sa të mundemi parkimin. Janë pallate të vjetra. Janë bërë pa parkime nëntokësore. Do të kemi mundësi që të sistemojmë edhe shumë automjete që më përpara detyroheshin të rrinin në periferi të lagjes. Jam i bindur që kur të kthehen nga pushimet në fund të verës do gjejnë një super surprizë nga inxhinierët dhe gjithë brigadat tona që do punojnë këtu”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Top Channel