Gaz lotsjellës e përleshje nëpër rrugë; qendra e Brooklyn Center, në veri të Minneapolisit i përngjante një fushëbeteje pas trazirave që shpërthyen kur policia qëlloi për vdekje një afroamerikan në mes të trafikut. Viktima u identifikua si 20 vjeçari Daunte Wright.
Situata u përshkallëzua pikërisht në një kohë kur tensionet në Minneapolis janë në kulmin e tyre mes gjyqit që po mbahet ndaj ish-oficerit të policisë, Derek Chauvin për vrasjen e George Floyd. Duke thirrur emrin e viktimës së fundit, Daunte Wright, qindra protestues u përballën me policinë përpara zyrave të saj në Brooklyn Center. Dy makina policie u qëlluan me gurë, raporton agjensia e lajmeve Reuters.
Forcat e rendit i kërkuan protestuesve të shpërndahen, teksa pamjet filmike tregonin efektivët duke lëshuar gaz lotsjellës e bomba tymuese. Mediat lokale raportojnë edhe për grabitje dyqanesh në një sërë zonash mes amullisë së krijuar. Në Brooklyn Center u dërgua dhe një pjesë e gardës kombëtare të Minnesotës e cila ishte dislokuar për gjyqin e Chauvin.
20 vjeçarit Wright, policia i kishte kërkuar të ndalonte për një shkelje në trafik, por panë se kishte një mandate arresti për të. Kur deshën ta arrestonin, i riu hyri sërish në makinë dhe policët e qëlluan. Një hetim ka nisur për ngjarjen, ndërsa po verifikohen edhe kamerat e trupit të policëve të përfshirë në incident.
Top Channel