Tajvani thotë se një numër rekord avionësh ushtarakë kinezë fluturuan të hënën në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.
Ministria e mbrojtjes tha se 25 aeroplanë përfshirë avionët luftarakë dhe bombardues, me aftësi bërthamore hynë të hënën në zonën e saj, të ashtuquajtur, të mbrojtjes ajrore (ADIZ).
Inkursioni është më i madhi në një vit dhe vjen ndërsa SHBA paralajmëron kundër një “Kine gjithnjë e më agresive”.
Pekini e shikon Tajvanin si një provincë të shkëputur. Sidoqoftë, Tajvani demokratik e sheh veten si një shtet sovran.
Misioni i fundit kinez përfshiu 18 aeroplanë luftarakë, si dhe katër bombardues, të cilët mund të mbajnë armë bërthamore, dy aeroplanë kundërndetës dhe një avion paralajmërues të hershëm, tha Tajvani.
Ministria e mbrojtjes shtoi se ata dërguan avionë luftarakë për të paralajmëruar avionët kinezë, ndërsa sistemet raketore u vendosën për t’i monitoruar.
Kina ka kryer fluturime të rregullta mbi ujërat ndërkombëtare midis pjesës jugore të Tajvanit dhe Ishujve Pratas të kontrolluar nga Tajvanët në Detin e Kinës Jugore në muajt e fundit, raporton BBC.
Incidenti i fundit erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara për “veprimet gjithnjë e më agresive” të Kinës ndaj Tajvanit.
Në një intervistë me NBC ai përsëriti se SHBA. kishin një angazhim ligjor ndaj Tajvanit dhe tha se Washingtoni “do të sigurohej që Tajvani të ketë aftësinë për të mbrojtur veten”, duke shtuar se do të ishte një “gabim serioz për këdo që të përpiqej të ndryshonte status quo-në me forcë “.
Top Channel