
Edi Rama ka zbuluar bisedën me një gazetar teksa ndodhej në Prrenjas në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Në fjalën e Ramës, shpesh herë dëgjohet se po punohet fort për të ndërtuar edhe tre aeroporte në vendin tonë, në Kukës, Vlorë dhe Sarandë por sipas gazetarit, janë shumë për popullsinë që ka Shqipëria.
Rama thekson se kjo është e pavërtetë dhe merr shembullin e Kroacisë për të treguar se ndarja është e qartë.
Rama: Dje një gazetar më thoshte se janë shumë 4 aeroporte, janë tepër, janë kot, për madhësinë dhe popullsinë që ka Shqipëria. Në fakt kjo është e pavërtetë. Kroacia ka 9 aeroporte me 4 milionë banorë. Të jeni të bindur miqtë e mi se ndarja është shumë e qartë, mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë, dhe atyre që bëjnë atë që thonë dhe thonë atë që bëjnë. Këta të fundit jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë. Çdo njeri duhet ta di sot se ndërkohë që tjerët flasin për BE, si një destinacion, bujqësia jonë, sektori i prodhimit, i përpunimit, i grumbullimit, brenda gjithë sektorit të bujqësisë, janë tanimë pjesë e angazhimit me BE. Vetëm në dy vitet e fundit janë 120 milionë të investuara në fshat për pika grumbullimi e përpunimi. Të gjitha këto janë bërë me qeverinë shqiptare.
Në mandatin e tretë, pa asnjë dyshim, do të shkojnë mbi 1 miliard eksportet bujqësore, sepse e kemi shtruar rrugën, duhet vetëm të vazhdojmë. Dua t’iu them të gjithë atyre që merren me një biznes të vogël, se sot ata kanë hyrë në vitin e parë të historisë së këtij vendi, qysh se u njoh e drejta e pronës dhe aktivitetit privat, pa taksa. E kanë taksën dhe TVSH zero dhe kështu do ta kenë deri në vitin 2029 me PS. Nëse bien pre e sirenave joshëse të jetës fushë me lule, kanë shumë për të humbur. I kemi parë me bori, makina, këngë e valle, Sudet, Vebitë, dhe më pas pamë atë që mos e paftë kurrë më asnjë familje, pamë sesi ajo rruga e shkurtër na nxori jo vetëm gjatë, por në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t’u ringritëm. Ne kemi të gjitha arsyet për të besuar se përderisa ne ja dolëm me forcën e besimit, të durimit, që të ringrihemi më të fortë, ne jemi ata që së bashku mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, vendin ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje, për të gjithë.
Unë dua një rritje ekonomike të fuqishme jo vetëm për ekonominë, por për çdo familje. Investimet më të mëdha që mund të kemi imagjinuar ndonjëherë janë gati. Është një infrastrukturë e tërë e re, moderne, transformuese, që në thelb është një infrastrukturë e rritjes së punësimit, vendeve të punës të paguara më mirë.
Top Channel