33 shtetas janë shoqëruar në polici, pasi dyshohet se kanë organizuar protestën e paligjshme në Thirrë të Mirditës.
Sipas policisë, këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë.
33 shtetasit do të hetohen nga prokuroria e Lezhës për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të jashtëligjshme, pengim të qarkullimit dhe kundërshtim i urdhrit policor.
Banorët e fshatit Thirrë të Njësisë Administrative të Fanit protestuan sot kundër ndërtimit të një hidrocentrali në zonën e tyre, me arsyetimin se u janë falsifikuar firmat dhe nga ndërtimi i këtij hec-i ka dëme të shumta.
Njoftimi i policisë:
Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, shoqërohen në Komisariatin e Policisë 33 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e sotme, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fanë, Mirditë , kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 33 shtetasve.
Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të zbllokuar qarkullimin e automjeteve.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit ” dhe ” Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik “.
Top Channel