Një zyrtar i lartë i Kinës për kontrollin e sëmundjeve tha se Pekini zyrtar po e konsideron mundësinë e kombinimit të vaksinave kundër COVID-19, duke e pranuar se efikasiteti i vaksinave ekzistuese “nuk është aq i lartë”.
Sipas të dhënave të publikuara, vaksinat e prodhuara në Kinë qëndrojnë shumë prapa atyre të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, sa i përket efikasitetit që kanë ndajë sëmundjes COVID-19. Megjithatë, për shkak të teknologjisë me të cilat janë prodhuar, vaksinat e kompanive kineze, nuk kërkojnë temperatura shumë të ulëta për t’u ruajtur.
Vaksinat ekzistuese “nuk kanë nivele të larta të mbrojtjes”, tha Gao Fu, drejtor i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Vaksinimi, duke përdorur vaksina të linjave të ndryshme teknike, po shqyrtohet”, tha ai në një konferencë për media.
Gao tha se edhe ndryshimi i intervaleve kohore ndërmjet dozave të vaksinës, por edhe kombinimi i dozave të vaksinave të ndryshme, do të mund të ndikonte në efikasitetin kundër koronavirusit.
Kompanitë kineze deri më tani kanë prodhuar katër vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë miratuar për përdorim dhe të shtunën, zyrtarët kinezë thanë se do të jenë në gjendje, që deri në fund të vitit të prodhojnë tre miliardë doza të vaksinave kundër COVID-19.
Vaksina e prodhuar në Kinë, Sinovac, sipas të dhënave nga studimi klinik i kryer në Brazil, është pak më shumë se 50 për qind efektive ndaj koronavirusit. Por, sipas të dhënave të një studimi të bërë në Turqi, kjo vaksinë ka një efikasitet prej 83.5 për qind.
Megjithatë, për vaksinën tjetër, Sinopharm nuk ka të dhëna të sakta për efikasitetin, por është thënë se sipas rezultateve të studimeve të brendshme, ajo është 79.4 për qind efikase.
Organizata Botërore e Shëndetësisë më herët gjatë javës, nuk ka rekomanduar përdorimin e dy llojeve të vaksinave për imunizim. Ky institucion thotë se njerëzit duhet të injektohen me dy dozat e së njëjtës vaksinë.
Top Channel