Gjermani: Më shumë pushtet federatës në luftën kundër Coronës

11/04/2021 08:38

Në të ardhmen do të zbatohen në nivel federal kufizimet e jetës publike në Gjermani në rajonet me shifra të larta infektimesh. Deri më tani ishin landet përgjegjëse për këtë.

Presioni u bë shumë i madh në fund. Por nëse do të kishin respektuar të gjitha landet “frenën e emergjencës” në rast të rritjes së infektimeve, atëherë nuk do të ishte problem një rishpërndarje e kompetencave në luftë kundër pandemisë. Fjala ishte për rikthimin e kufizimeve, nëse shifrat e infektimeve me Corona në rajone të caktuara do të kalonin një vlerë të caktuar. Në raste nevoje madje do të vendosej edhe ora e ndalimqarkullimit. Kjo ishte ujdia e landeve dhe federatës në fillim të marsit.

Por “frena e emergjencës” nuk u shkel në shumë raste. Tani federata dhe landet së bashku me grupet parlamentare në Bundestag kanë rënë dakord të ndryshojnë ligjin për mbrojtjen nga infeksionet. Sipas kësaj është federata ajo që vendos për ato zona me shifra të larta infektimesh, kudo në Gjermani. Të martën që vjen kabineti qeveritar kërkon të miratojë këtë projektligj, ende nuk dihet, se kur do të bëhet votimi në Bundestag.

Për Gjermaninë nuk është gjë e vogël ndryshimi i kompetencave të federatës dhe landeve. Landet me kompetenca të fuqishme dolën si një mësim nga koha e nacionalsocializmit. Asnjëherë më nuk duhej të qeverisej në mënyrë centraliste pa kufizim. Si pasojë landet federale në ligjin themelor të pasluftës morën një pozicion shumë të fortë.

Kjo zbatohet edhe tani në kohë pandemie. Vërtet që sipas kushtetutës, qeveria ka përgjegjësinë “për masa kundër sëmundjeve të rrezikshme e të transmentueshme në shoqëri”, por sipas ligjit aktual të mbrojtjes nga infeksionet në fund janë landet që i nxjerrin rregulloret e masave mbrojtëse kundër Coronës dhe i zbatojnë ato. Edhe në ndryshimin e fundit të ligjit në nëntor 2020 vetëm flitet për “synimin” për masa të njësuara federale, jo më shumë.

Gjermania si qilim me arna

Rezultati i kësaj gjendjeje është një Gjermani si qilim me arna, me masa të ndryshme nga landi në land dhe konkurrencë landesh për politikën e duhur kundër Coronës, herë lirim masash, herë ashpërsim të fortë. Nëse janë të hapura shkollat apo dyqanet, nëse ka një detyrim për testim apo ndalimqarkullimi secili land vendos vetë. E për sa kohë që shifrat e infektimeve uleshin dukej një konkurrencë positive. Por prej javësh shifrat shënojnë rritje, qytetarët janë të irrituar, për shumë vetë masat janë jologjike, dhe njerëzit kanë humbur orientimin, se cilat rregulla vlejnë. Thirrjet për një veprim të njësuar u shtuan.

Merkel paralajmëroi

Kancelarje Merkel në një intervistë të fundit në ARD kishte kritikuar që landet nuk i zbatojnë masat që u vendosën së bashku në konferencën e kryeministrave të landeve me kancelaren. Nëse kjo nuk ndryshon “në kohë të shpejtë”, Merkel la të kuptohej, se federata me gjasa do të marrë iniciativën për ndryshimin e ligjit të infeksioneve.

Disa deputetë konservatorë ndërmorrën së fundmi një iniciativë që do t’i jepte më shumë kompetenca federatës, kjo për shkak se po bëhet e pamundur të veprohet së bashku dhe dëmi për Gjermaninë po rritet. Ideja u mbështet edhe nga kryetari i CDU dhe kryeministri i landit, Renani Veriore-Vestfali, Armin Laschet dhe kryeministri bavarez, Markus Söder, (të dy luftojnë për postin e kandidatit për kancelar shën.red.) Ata ranë dakord për shfuqizimin e kompetencave të tyre.

Kanzleramt | Beratungen von Bund und Ländern zu Corona-Pandemie Zyra e kancelares Merkel

Ideja për ndryshimin e ligjit shkaktoi debat të ashpër në Gjermani. Kryetari ekzekutiv i grupit parlamentar socialdemokrat, Carsten Schneider e quajti idenë e deputetëve të unionit, një përpjekje për t’u marrë pushtetin landeve. Deputeti konservator dhe një ndër iniciatorët, Norbert Röttgen u shpreh për gazetën “Bild” se nuk bëhet fjalë për dobësimin e landeve, por “bëhet fjalë që federata të jetë në gjendje të veprojë”.

E realisht federata nuk do të kërkojë në vend të landeve zbatimin e masave kundër Coronës, por do të jetë shtojcë në bashkëpunimin me to. Kritikë e ashpër vjen nga partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD. Dy krerët e grupit parlamentar, Alice Weidel dhe Alexander Gauland u shprehën për “atentat kundër rendit federal dhe parimeve demokratike bazë të republikës sonë.”

Skeptike dhe kritike ishte edhe partia bashkëqeverisëse, SPD, por ndërkohë zëvendëskancelari socialdemokrat, Olaf Scholz përpiqet ta shesë ndryshimin e ligjit për mbrojtjen nga infeksionet si progres që u sjell qytetarëve “më shumë transparencë dhe qartësi”. Për kryeministrat e landeve është e qartë – ata do ta kishin shmangur këtë humbje të përkohshme të pushtetit, nëse do të kishin reaguar sipas kryeministres së landit Renani-Palatin, Malu Dreyer, “që vendimet që ishin marrë edhe të zbatoheshin.”/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA