“Duket si jashtë shtetit”, Rama thumbon opozitën nga Vlora: Pjesën tjetër të projektit, Leskua do e lërë aty. Do e marrin në krahë e ta çojnë zvarrë në shtëpi

10/04/2021 16:43

Dita e sotme e ka gjetur kryeministrin Edi Rama në qytetin e Vlorës, ku renditet i 8-i në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

Pas takimit me operatorë turistikë, Rama thotë se ia thanë troç që do votojnë për PS, ndonëse gjysma prej tyre ishin të djathtë. Kryeministri komentoi edhe projektin në qytetin e Vlorës duke thënë se duket si “jashtë shtetit” dhe ironizoi opozitën duke thënë se nëse fitojnë zgjedhjet, pjesën tjetër të projektit “Leskua do e lërë aty dhe do e marrin në krahë në të gdhirë e ta çojnë zvarrë në shtëpi.”

Rama: Isha në një tavolinë me operatorë turistikë, gjysma ishin të majtë, gjysma të djathtë. Në atë tavolinë, ne diskutuam për Vlorën, për turizmin, për perspektivën e zhvillimit të turizmit dhe të gjithë në atë tavolinë ishin të qartë dhe e thanë troc, ne votojmë për ty dhe PS sepse ky është interesi ynë, interesi i Vlorës pasi jo vetëm që askush s’ka bërë për Vlorën kaq sa është bërë këto vite, madje askush nuk e ka imagjinuar se do të ndodhte një përmbysje por e dimë mirë se nëse kjo ndryshon, Vlora mbetet bishti i fundit i kavallit dhe nuk merret më kush me Vlorën.

Ishte një arsyetim praktik njerëzish që gdhihen në mëngjes dhe ngrysen vonë në darkë me punë, njerëzish që krijojnë të ardhura për veten e të tjerët, nuk ishte takim tifozësh për të diskutuar apo për tu zënë për vendin në stadium. Ja ku jemi këtu, kush e mendonte se do mblidheshim në këtë mjedis kaq të bukur që duket sikur është jashtë shtetit. Vite më parë ishte periferi e braktisur mu në mes të qytetit, një lagje e degraduar e dorës së fundit ku mbyllje hundët për të kaluar nga një anë në tjetrën dhe duhet të kaloje në rresht për një se nuk të linin kodrat me mallra të përdorura në mes të rrugës.

Nëse këtej është pamje fantastike që flet vetë jo vetëm si pamje por edhe përmbajtje sepse gjithë hapësirat e braktisura po kthehen në hapësira për biznes, për punësim, për shërbime dhe për mikpritje. Por po të kthesh kokën nga ana andej, pak më matanë tek zona tjetër ku zhvillohet faza tjetër e këtij projekti, më falni kush do e bëjë fazën tjetër, Leskua? Po erdhi, Leskua do e lërë aty dhe do e marrin në krahë në të gdhirë e ta çojnë zvarrë në shtëpi. Thashë Leskua se nuk di kë të kap në skuadrën për Vlorën se asnjëri nuk banon në Vlorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA