Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli masa të reja për të trajtuar dhunën me armë në SHBA, të cilën e përshkroi si “krizë të shëndetit publik”.

Biden, një demokrat që ka histori të gjatë të mbështetjes për kufizimet e armëve, njoftoi për masat e reja të enjten pasdite, së bashku me zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe prokurorin e përgjithshëm, Merrick Garland.

“Sot po ndërmarrim hapa për t’iu kundërvënë jo vetëm krizës me armë, por edhe asaj që në fakt është krizë e shëndetit publik”, tha Biden para një audience të mbledhur në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, e cila përfshinte edhe familjarë të viktimave të dhunës me armë.

“Kjo është një epidemi për hir të Zotit dhe duhet të ndalet”.

“Dhuna me armë në këtë vend është një epidemi dhe është një turp ndërkombëtar”, tha Biden.

Biden bën thirrje për ndalimin e armëve sulmuese

Njoftimi u bë një ditë pasi një sulm me të shtëna masive në Karolinën e Jugut la të vrarë pesë vetë, në mesin e tyre një mjek, gruan e tij dhe dy nipërit e tyre.

Ky sulm pasoi të shtënat masive që ndodhën muajin e kaluar në Kollorado dhe Xhorxhia, duke lënë 18 njerëz të vrarë.

Tetë viktima në disa qendra masazhi në Atlanta, policia ndalon të dyshuarin

Autoritetet thanë se i dyshuari për sulmin në Karolinë të Jugut, i identifikuar si Phillip Adams, ish-lojtar i Ligës Kombëtare të Futbollit, u gjet më vonë i vdekur nga një plagë e vetme me armë, në shtëpinë e prindërve të tij. Zyrtarët thanë se nuk e kanë përcaktuar ende motivin e sulmit.

Kontrolli i armëve është një çështje përçarëse në Shtetet e Bashkuara, ku me dekada sulmohen shkollat dhe vendet e tjera publike.

E drejta për të pasur dhe mbajtur armë mbrohet me Amendamentin e Dytë të Kushtetutës amerikane dhe shumë qytetarë në SHBA i shohin ligjet për kontrollin e armëve si shkelje të kësaj të drejte kushtetuese.

Masat e reja përfshijnë plane për Departamentin e Drejtësisë që t’i ndjekë “armët e vetëmbledhura fantazmë”, të cilat nuk kanë numra serialë dhe kjo i bën më të vështira për t’u gjetur.

Ekspertët thonë se këto armë të bëra në shtëpi, përdoren gjithnjë e më shumë në krime.

Sipas zyrtarëve federalë të armëve të zjarrit, mbi 40% e armëve të konfiskuara në Llos Angjelles janë armë fantazmë.

Masat po ashtu kërkojnë që “kllapat stabilizuese”, të cilat i kthejnë pistoletat në pushkë, të bëhen subjekt i regjistrimit ligjor.

Biden tha se do të kërkojë edhe një raport vjetor federal mbi trafikun e armëve të zjarrit, si dhe do ta bëjë më të lehtë për shtetet që të miratojnë ligje të “flamurit të kuq”, që i kufizojnë individët me rrezik të mbajnë armë.

Shoqata Kombëtare e Pushkëve, që është grupi më i madh i lobimit për të drejtat e armëve në SHBA, i përshkroi masat si “ekstreme” dhe tha se është e gatshme të luftojë.

Biden do t’i miratojë masat përmes një urdhri ekzekutiv, që do të thotë se nuk do të ketë nevojë për miratim nga Kongresi, ku shumë republikanë kundërshtojnë çdo kufizim në pronësinë e armëve./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA