Presidenti Joe Biden dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland njoftuan masa të kufizuara për trajtimin e dhunës së shkaktuar nga armët në Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë e përshkroi këtë si hapin e parë për të frenuar dhunën në masë, gjakderdhjen në komunitet si dhe vetëvrasjet.
Masat e reja përfshijnë planet që Departamenti i Drejtësisë të godasë të ashtuajturat “armët fantazmë”, armë të improvizuara, të cilave u janë hequr numrat serialë dhe e bëjnë të vështirë për forcat e rendit të identifikojnë autorët e krimeve.
Po kështu po kërkohet edhe regjistrimi i pajisjeve në formë proteze, që u shtohen armëve tek pjesa e qytës, për të bërë të mundur mbajtjen e tyre dhe qitjen me një dorë. Biden tha se ai do t’i kërkojë gjithashtu Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve që të hartojë një raport vjetor mbi trafikun e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara dhe ta bëjë më të lehtë për shtetet që të miratojnë ligje për të sinjalizuar mbi individët që paraqesin rrezik, e që posedojnë gjithashtu armë.
“Sot ne jemi duke ndërmarrë hapa për t’u përballuar jo vetëm me krizën e armëve, por atë që në fakt është një krizë e shëndetit publik”, u shpreh ai. presidenti ka qenë nën një presion të shtuar për të kaluar në veprim pas incidenteve të fundit me armë zjarri në Kolorado dhe Xhorxhia. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti do të vazhdojë të kërkojë nga Kongresi që të ndërmarrë hapa edhe më agresivë.
Top Channel