Turqia dhe Azerbajxhani mbajnë ushtrime ushtarake

08/04/2021 22:01

Forcat e Turqisë dhe ato të Azerbajxhanit kanë nisur ushtrime të përbashkëta ushtarake që do të zgjasin dy ditë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se stërvitjet kishin për qëllim “zhvillimin e aftësive ushtarake të vendimmarrjes”. Komanda ushtarake e Turqisë nuk ka bërë ndonjë koment.

Në fund të vitit të kaluar, Azerbajxhani zhvilloi një luftë të shkurtër, por të suksesshme me forcat armene për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Rajoni njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë që nga fillimi i viteve 1990. Turqia i ka ndihmuar aleatit të saj historik, Azerbajxhanit, duke e pajisur me armatim.

Lufta gjashtë javore përfundoi në nëntor të vitit 2020, pasi palët u pajtuan për armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia. Në bazë të marrëveshjes, një pjesë e rajonit dhe shtatë rrethet përreth tij u vunë nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjet kontrolli nga forcat etnike armene.

Marrëveshja mundësoi vendosjen e rreth 2.000 paqeruajtësve rusë. Më shumë se 6.000 njerëz vdiqën në luftime. Statusi përfundimtar i rajonit mbetet i pazgjidhur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA