Britania këshillon kufizimin e vaksinës së AstraZeneca-s tek moshat nën 30 vjeç

08/04/2021 06:32

Autoritetet britanike rekomanduan të mërkurën që vaksina e AstraZeneca-s kundër COVID-19-s të mos u jepet personave në moshë të rritur nën 30 vjeç, kur është e mundur, kjo për shkak të forcimit të provave se ajo mund të ketë lidhje me një lloj të pazakontë mpiksjeje të gjakut.

Rekomandimi erdhi pasi entet rregullatore si në Britani, ashtu edhe në Bashkimin Evropian theksuan se përfitimet nga marrja e vaksinës vazhdojnë t’i tejkalojnë rreziqet për shumicën e njerëzve edhe pse Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se kishte gjetur një “lidhje të mundshme” mes vaksinës dhe mpiksjeve të gjakut. Autoritetet britanike rekomanduan që personave nën 30 vjeç t’u ofroheshin vaksina të tjera alternative. Por EMA nuk këshilloi kufizime të reja lidhur me moshën e atyre që duhet ta marrin vaksinës, duke ua lënë vendeve anëtare të saj të vendosin nëse do ta kufizojnë ose jo përdorimin e saj.

Disa vende kanë vendosur tashmë kufizime lidhur me vaksinën. Çdo masë në këtë drejtim po vëzhgohet nga afër pasi vaksina, e cila është më e lirë dhe më e lehtë për t’u ruajtur se shumë të tjera, është kritike për fushatat globale të imunizimit. Ajo konsiderohet si shtyllë e programit të mbështetur nga OKB-ja, i njohur me emrin COVAX, i cili synon të furnizojë me vaksina disa nga vendet më të varfra të botës. Konferencat për shtyp të enteve rregullatore të BE-së dhe Britanisë u zhvilluan në të njëjtën kohë të mërkurën pasdite. Rezultatet e hetimeve lidhur me raportet për mpiksje të gjakut ngjallën shqetësim në lidhje me shpërndarjen e vaksinës së AstraZeneca-s.

Agjencia e BE-së i përshkroi mpiksjet si efekte anësore “shumë të rralla”. Doktoreshë Sabine Straus, kryetare e Komisionit të EMA-s mbi Sigurinë, tha se të dhënat më të mira vijnë nga Gjermania, ku është njoftuar një rast mpiksjeje gjaku për çdo 100,000 doza të injektuara. Por ajo vuri në dukje se rastet janë edhe më të pakta në Britani. Një tjetër ekspert, Dr. Peter Arlett, tha se rreziku i mpiksjes së gjakut nga vaksina e AstraZeneca-s është më i ulët sesa rreziku që shkaktojnë tek gratë e shëndetshme pilulat që merren për kontrollin e shtatzanisë. Agjencia tha se shumica e rasteve të raportuara janë vënë re tek gratë nën moshën 60 vjeç brenda dy javësh nga vaksinimi, por bazuar në provat e disponueshme deri tani, ajo nuk ishte në gjendje të identifikonte faktorët specifikë të rrezikut. Ekspertët shqyrtuan disa dhjetëra raste që vinin kryesisht nga Evropa dhe Britania, ku rreth 25 milionë njerëz kanë bërë vaksinën e AstraZeneca-s.

Britania shton vaksinën e Moderna-s

Britania ka futur vaksinën mjaft të suksesshme të kompanisë amerikane Moderna, e cila merret me dy doza, në fushatën e saj të imunizimit që nis të mërkurën në Uells. Vaksina e Modernës është e treta e miratuar për përdorim në Britani pas asaj të Oxford-AstraZeneca-s dhe Pfizer-BioNTech-ut. 17 milionë doza të vaksinës së Modernës të porositura nga Britania vijnë në një kohë kur vendi po përballet me një mungesë të vaksinës së Oxford-AstraZeneca-s për shkak të problemeve në prodhim.

Ndikimi i COVID-it në tru

Një studim i ri i botuar të mërkurën në revistën mjekësore “Lancet Psychiatry” ka zbuluar se 34 për qind e personave që janë prekur nga COVID-19 vuajnë nga pasoja neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve nga infektimi. Në mesin e më shumë se 230,000 pacientëve që u përfshinë në studim 17 për qind u diagnostikuan me ankth dhe 14 për qind me çrregullime të humorit. Studiuesit gjithashtu zbuluan se të infektuarit me koronavirus në 44 për qind të rasteve kishin rrezik më të madh të vuanin nga sëmundje neurologjike dhe psikiatrike krahasuar me ata që ishin prekur e shëruar nga gripi dhe 16 për qind rrezik më të madh sesa ata persona që kishin vuajtur nga infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA