Dy persona u plagosën në mënyrë kritike të martën në një zonë industriale në shtetin e Merilendit dhe më pas i dyshuari i armatosur, i identifikuar si një pjesëtar i Marinës amerikane, shkoi në një bazë ushtarake aty pranë ku u qëllua për vdekje, tha policia.
Autoritetet në Frederik të Marilendit, rreth 72 km në veriperëndim të Uashingtonit, po përpiqen të zbulojnë motivet e ngjarjes. “Siç mund ta imagjinoni, kjo është një skenë shumë aktive,” u tha gazetarëve Shefi i Policisë së Frederikut, Jason Lando të martën në mëngjes.
“E vetmja gjë që mund t’ju them është se kemi konfirmuar që ishte vetëm një autor. Publiku është i sigurt”, tha ai. Pas marrjes së telefonatës, policia gjeti dy të plagosurit, të dy burra, në një kompleks biznesesh tregëtare dykatëshe, tha Lando. Të dy ata u dërguan në Qendrën e Traumës në Spitalin Universitar të Merilendit, në Baltimore, tha shefi i policisë Lando, duke shtuar se “në këtë kohë, lajmi i fundit që kemi është se të dy viktimat janë në gjendje kritike”.
I dyshuari më pas shkoi në bazën e Ushtrisë Fort Detrick aty pranë, rreth katër milje (6 km) larg, ku u qëllua për vdekje nga personeli ushtarak, tha zoti Lando. Marina tha në Twitter se autori i paidentifikuar ende ishte një anëtar i trupës së spitalit të Marinës./VOA
Top Channel