Biden: 18 vjeç e sipër mund të vaksinohen nga 19 prilli

07/04/2021 06:16

Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.

“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”. Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

“Nuk jemi ende te vija e finishit,” tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”. Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit. “Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha zoti Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias.

Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë. Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja. “Këto variante janë më ngjitëse,” tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”. Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.

“Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dy nocione: vaksinat janë të suksesshme dhe mbrojnë shumë njerëz, por përsëri duhet të vë maskë dhe të ruaj distancë fizike,” thotë Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt. “Duhet të vazhdojmë t’ua kërkojmë njerëzve këto gjëra edhe për pak muaj”. Ashtu si shumë shtete të tjera, Virxhinia kishte njoftuar banorët se nga mesi i muajit prill të gjithë ata mbi 16 vjeç do të mund të vaksinoheshin. Por në pjesën veriore të shtetit, një zonë me të ardhura të larta ku ndodhen shumë institucione të qeverisë federale dhe jetojnë punonjës e kontraktorë të qeverisë, kërkesa e lartë e ka tejkaluar sasinë e disponueshme të vaksinave.

“Në mënyrë që të përmbushim synimin e guvernatorit, do të na duhen shumë më tepër doza për Virxhinian veriore,” tha shefi ekzekutiv i komunës Feirfaks të Virxhinias. Ndërkaq, kategoritë e punonjësve të klasifikuar si me përparësi për vaksinim, ndër to punonjësit e shërbimeve sanitare, kamarierë, stilistë sallonesh dhe llogaritarë, përmbushin kushtet për vaksinim në zonat rurale të Virxhinias, por ende jo në pjesën veriore të shtetit. Në rajonin e kryeqytetit, Uashington, shumë doza janë rezervuar për pacientë të rrezikuar, ndërsa shumë banorë që duan të vaksinohen nuk po arrijnë pasi nuk ka sasi të mjaftueshme.

Premtimi i presidentit se brenda dy javësh do të shtohet ndjeshëm numri i vaksinave në disponim do të jetë një arritje e konsiderueshme, por kjo nuk zgjidh problemin e rezistencës ndaj vaksinave. “Secili prej nesh duhet të kontaktojë njerëz që shfaqin hezitim dhe t’ua shpjegojë që t’i bindë se vaksinat nuk janë të rrezikshme,” tha për Zërin e Amerikës Dr Schaffner. Në Shtetet e Bashkuara janë bërë deri tani mbi 150 milionë doza vaksine, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaron se “afro 1/3 e popullatës amerikane dhe rreth 40% e të rriturve kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa afro 1/5 është e imunizuar plotësisht” me një nga tre vaksinat që kanë marrë miratim emergjent nga autoritetet federale amerikane.

Data e re e kualifikimit për vaksinë do t’u japë të gjithë të rriturve mundësinë të caktojnë orar për vaksinim në qendrat e tyre komunitare. Shtetet e Bashkuara “mjaft shpejt” do të kenë doza të mjaftueshme për t’ua dhënë edhe vendeve të tjera, tha presidenti gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Virxhinia. “Ky problem kërkon zgjidhje në mbarë botën,” tha presidenti. “Nuk mund të ndërtojmë dot një mur apo gardh aq të madh sa që të mos lejojë futjen e virusit”. Vende të tjera kanë kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për t’u dërguar doza vaksine, por administrata e Presidentit Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron fillimisht të sigurohet se ka sasi të mjaftueshme për të imunizuar amerikanët./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA