Izrael, Netanyahu merr mandatin për formimin e qeverisë

06/04/2021 16:12

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, i ka dhënë mandatin kryeministrit Benjamin Netanyahu për të formuar qeverinë e re.

Rivlin në një konferencë për media në zyrën në Kudsin Perëndimor, tha se Netanyahu-t, udhëheqësi i partisë Likud që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e parakohshme të 23 marsit, iu dha mandati për të formuar qeverinë.

Ai theksoi se askush nga kandidatët nuk kishte votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, duke shtuar se Netanyahu ka mundësinë më të mirë.

Rivlin theksoi se që nga inaugurimi i tij, zgjedhjet janë mbajtur në Izrael pesë herë, katër prej tyre në dy vitet e fundit.

Ai kujtoi se asnjë parti nuk fitoi 61 vende në zgjedhje, siç ishte e nevojshme për formimin e qeverisë, prandaj ai mbajti një takim të hënën me krerët e 13 partive politike që hynë në parlament për të vendosur mbi emrin e kandidatit për formimin e qeverisë së koalicionit.

Gjatë bisedimeve, asnjë nga kandidatët nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve për formimin e qeverisë së koalicionit.

Netanyahu kishte mbështetjen e 52 deputetëve, Yair Lapid, udhëheqësi i partisë Yesh Atid, 45, dhe Naftali Bennett, udhëheqësi i partisë Yamina, mbështetjen e shtatë deputetëve.

Kandidati, i emëruar nga presidenti, duhet të formojë qeverinë brenda 28 ditëve, me mundësinë e zgjatjes së afatit për dy javë të tjera.

Nëse kandidati dështon të formojë qeverinë e koalicionit brenda afatit shtesë, presidenti në këtë rast i jep mandatin për formimin e qeverisë një kandidati tjetër.

Nëse edhe ky kandidat nuk arrin të formojë qeverinë e koalicionit brenda 28 ditësh, presidenti pastaj i jep mandat parlamentit. Nëse parlamenti nuk mund të bie dakord për emrin e kryeministrit të caktuar brenda tre javësh, atëherë shpallen zgjedhje të parakohshme./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA