Pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kontrollit të Lartë Shtetëror për shfuqizimin e financave të qeverisjes vendore, presidenti i vendit, Ilir Meta i ka dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se pushteti qendror e vendor zotërohet 100 % nga PS.
Meta shprehet se vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Shqipëri ka për detyrë të kontrollojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor.
“Pavarësisht se audituesi i jashtëm ligjor është një profesion që liçensohet sipas ligjit, sërish është antikushtetuese që me ligj të barazohet roli, niveli dhe kompetencat e këtij profesioni me ato që Kushtetuta ia atribuon vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Republikën e Shqipërisë. Në thelb, dispozitat ligjore të kundërshtuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, cenojnë pavarësinë funksionale dhe organizative të këtij organi, pasi nga zbatimi i tyre, lind detyrimi iKLSH-së për auditimin financiar çdo vit të të gjitha njësive të qeverisjes vendore, ç’ka është relatuar se bëhet praktikisht e pamundur për t`u përmbushur, duke i hapur kështu rrugë vetëkontrollit të pushtetit vendor nga auditues të jashtëm privatë. Vendosja e KLSH-së në një vështirësi të tillë për tëpërmbushur me cilësi detyrat e tij kushtetuese, krijon një situatë ku përmes një neni të ligjit, kufizohet veprimtaria kushtetuese e KLSH-së, për ta penguar atë që të kontrollojë mënyrën e përdorimit të fondeve publike nga njësitë e qeverisjes vendore. Ekziston rreziku që pushteti vendor duke përdorur dispozitën e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me argumentin fiktiv se “i duhet të auditohet çdo vit” dhe brenda një periudhe të caktuar, mund të aktivizojë menjëherë vetëkontrollin e veprimtarisë financiare me auditues të jashtëm (privatë), të cilët liçensohen e monitorohen nga qeveria, e cila realisht ka fuqi kontrolli e mbikëqyrjeje ndaj tyre. Ky rrezik shtohet akoma edhe më shumë në kushtet kur siç dhe ju jeni në dijeni, pushteti qendror dhe ai vendor, zotërohet 100 % nga e njëjta forcë politike (Partia Socialiste), e cila përmes votimeve një partiake të realizuara në qershor 2019, de facto, ka emëruartë deleguarit e saj politikë si Kryetarë të Bashkive dhe të gjithë Këshillave Bashkiakë në vend, përmes një procesi antikushtetues votimesh, të realizuara pa garë, pa datë zgjedhjesh të caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, shkruhet në shkresë.
Presidenti shpreh shqetësimin e thellë për këtë çështje Gjykata Kushtetuese, ku sipas tij kjo e fundit nuk i dha një zgjidhje të drejtë dhe kushtetuese, mbrojtjes së interesit publik, dhe as nevojës ekstreme që ka vendi sot për ruajtjen e pacenuar të financave publike.
Meta përmes letrës thekson se Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomiko-financiar dhe duhet t`i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
“Gjykata Kushtetuese, duke mos pranuar kërkesën e KLSH-së për thirrjen e Institucionit të Presidentit të Republikës në gjykim, nuk ka marrë parasysh rolin që ka Presidenti i Republikës në procesin legjislativ, ashtu dhe në gjykimet kushtetuese. Në mbështetje të nenit 134 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, përfaqëson një subjekt me legjitimitettë pakushtëzuar në kërkimet kushtetuese. Si i tillë, Presidenti i Republikës jo vetëm që ka të drejtë të kërkojë kontrollin kushtetues të çdo ligji, por nga ana tjetër ky legjitimitet nuk ndryshon, dhe as pakësohet,edhe në rastet kur kërkues është një tjetër organ kushtetues si KLSH, i cili për çështjen konkrete, ka vlerësuar pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në gjykim si të domosdoshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomiko-financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet t`i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në situatën ku ndodhet vendi, ku abuzimi me pushtetin dhe financat publike është kthyer në një fenomen masiv,si në pushtetin qendror dhe në atë vendor, bëhet e domosdoshme që të mbyllen të gjitha shtigjet për ata Kryetarë Bashkie të emëruar, që kanë shpërdoruar fondet dhe pasurinë publike, e që mund të përpiqen për të mbuluar paligjshmëritë e kryera deri më tani”, shkruhet në shkresë.
Shkresa nga presidenti Ilir Meta
Top Channel