Gjesti i tij bëri jehonë kudo ku ka shqiptarë/ Në Indonezi, një burim uji merr emrin e Arjan Salës

05/04/2021 13:19

Arjan Sala humbi jetën nga zjarri që ndodhi në qendrën tregtari, pasi shpëtoi  rreth 25 kolegët e tij.

Familjarët e 33-vjeçarit, falenderojnë të gjithë shqiptarët, që i kanë shprehur mesazhe ngushëllimi dhe i kanë vizituar në shtëpinë e tyre. Shumë qytetarë kanë kontribuar për të ndihmuar financiarisht familjen e të ndjerit, që la pas një fëmijë 4-vjeçar.

Një lajm vjen përtej kontinentin. Një organizatë bamirëse ka hapur një pus uji në Indonezi dhe i ka vendosur emrin “Arjan Sala”. Për emisionin “Shqipëria live”, flet vëllai i Arjanit, Edmond Sala. “Ka qenë një fond besimtarësh, kanë bërë të mundur hapjen e pusit në Indonezi. Na vjen lajmi që është hapur një pus me emrin e tij. Janë besimtarë shqiptarë, është një organizatë bamirëse, që funksionon në Indonezi.

Jemi shumë krenarë, dua të falenderoj të gjithë shqiptarët, që na kanë mbështetur që në momentin e parë. Vazhdojnë të vijnë mesazhe ngushëllimi. Unë do jem i pari që do të shkoj atje, dua të shoh atë pus me emrin e vëllait”.

Edmondi tregon se, tashmë situata është e vështirë për djalin 4-vjeçar, që kërkon të atin dhe ata e kanë të vështirë t’i tregojnë të vërtetën. “Djali ka qenë shumë i lidhur me babain, në darkë dilte te porta e priste. Tani e kërkon, e kemi shmangur diskutimin sepse është shumë e vështirë. Por, ai nuk e largon nga mendja dhe e kërkon”.

Ai rrëfen se i ka mbetur peng kafja që nuk e pinë dot. “Ai iku në punë dhe e lamë që në darkë, pas pune të pinim një kafe. Por, ai nuk erdhi më i gjallë…”.

Ndërkohë, shprehet i vendosur për të ndjekur hetimet për çështjen deri në fund. “Nuk kemi marrë asnjë informacion nga prokuroria, deri tani nuk ka ardhur njeri. Ne do ta ndjekim deri në fund, kushdo qoftë do ta ndjekim”.

Arjan Sala u shpall “Dëshmor i Atdheut”, për veprimin e tij vetësakrifikues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA