Gjykata e Posaçme vendosi këtë të diele të lërë në burg të gjithë të arrestuarit e operacionit të datës 1 prill ku në Tiranë u gjetën 18 baza me armë. Ndërsa për njërin prej të arrestuarve, Klodian Kulla, u vendos burg me afat 45 ditë.
Arrest me burg u dha edhe për dy personat e shpallur në kërkim, Akil Kulla dhe Sokol Xhura. Bashkë me ta, u bë edhe rivlerësimi i masës për kushërinjtë Enver dhe Ermond Jamaku, të cilët sipas prokurorisë kanë bashkëpunuar me të arrestuarit në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal
Enver Jamaku i cili së shpejti pritet të marr statusin e të penduarit të drejtësisë, ka zbërthyer përpara hetuesve të gjithë zinxhirin se si funksiononte ky grup, duke i dhënë mundësi policisë të zbardhte edhe tre ngjarje të tjera; atentati me eksploziv i mbetur ne tentative ndaj Artan Bylykut, ajo e vrasjes se mbetur ne tentativë të Paulin Paplekes dhe shpërthimi në banesën e Edmond Saracit.
Kushërinjtë Jamaku janë personat të cilët i vunë tritol Gjon Menës në Kamëz, por që arritën vetëm ta plagosnin në këmbë. Enveri, po ashtu ka deklaruar përpara prokurorëve, se në vitin 2019 së bashku me Ermondin, janë porositur nga Flor Abazi, Blendi Deda dhe Paris Deda për të vrarë Domar Konjarin. Kushërinjve Jamaku u është vënë në dispozicion një makinë për të mbajtur nën vëzhgim Konjarin, dhe dy mina me lëndë shpërthyese, me telekomandim. Për këtë vrasje atyre u ishin premtuar shuma të mëdha parash.
Por në 18 tetor të 2019-ës, ata shpërthejnë në distancë makinën që përdorte Artan Bylyku, kunati i Domart Konjarit.
Enver Jamaku, gjithashtu ka deklaruar se ka bashkëpunuar me të gjithë të arrestuarit dhe se ka pasur dijeni për bazat ku armët modifikoheshin dhe shiteshin drejt grupeve të tjera kriminale për të kryer atentate apo vrasje.
Ndërkaq, avokati i Blendi Dedës, Arbër Hoxha, mohon që klienti i tij të ketë njohje me këtë grup.
Tashmë mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e Trafikimit të armëve dhe municionit, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, prodhimi dhe mbatjes së armëve, atyre shpërthyese dhe municionit, vrasjes me paramendim, e mbetur në tentativë, shkatërrimi i pronës me eksploziv dhe kanosja.
Top Channel