Rastet/ Qentë e rrugës bëjnë ‘kërdinë’ në Tiranë, 30 ankesa për kafshime në 2 muaj, mes tyre edhe fëmijë

03/04/2021 17:00

Qentë endacakë në rrugët e Tiranës janë bërë një fenomen shqetësues për qytetarët dhe në disa raste ata janë kthyer në viktima të kafshimeve.

Vetëm në dy muajt e fundit janë 30 raste, kur qytetarët e Tiranës janë ankuar për kafshime nga qentë, shumica e të cilëve fëmijë.

Shumë prej qenve që po qarkullojnë në kryeqytet muajt e fundit dhe që po shkaktojnë shqetësime te qytetarët, janë qentë që braktisen nga pronarët e tyre, sidomos rracat agresive si pitbull, rottweiler, doberman etj, të cilët cilësohen si të rrezikshëm.

Stacioni i Trenit, zona e Astirit, Lapraka, Kinostudio, Kombinati etj, janë disa prej zonave problematike. “Ju lutem na janë bërë shqetësim 2 qen, të cilët u vërsulën fëmijëve dhe po i terrorizojnë sa kanë frikë të rrinë poshtë pallatit. Edhe pse janë me pullë në vesh, njërin prej tyre na i sollën përsëri pasi kishte gati 8-9 muaj që e kishte marrë bashkia. Na i përzenë fëmijët nëpër shkallë të pallatit”, është një prej ankesave të banorëve të një pallati në rrugën “Prokop Mima”.

Kush i mbledh këta qentë e rrugës nga bashkia, janë dy qen që rrinë pranë një lavazhi, duhen larguar urgjentisht, kanë tërbuar lagjen çdo natë”, shprehen banorë të një tjetër pallati, në kryeqytet.

Prania e këtyre qenve në rrugë, përveç mungesës së higjienës dhe rrezikut të sulmit fizik është kthyer në një shqetësim real, ndaj të cilit duhet të merren masa konkrete. Duke jetuar në kushte të këqija dhe duke u ushqyer me mbeturina, ata bëhen bartës të shumë sëmundjeve të rrezikshme, të cilat mund të transmetohen edhe te njeriu.

Sipas studimeve, sëmundjet infektive të qenve endacake dhe të pavaksinuar që mund të transmetohen te njeriu janë shumë të rrezikshme, sepse shpesh mund të shkaktojnë edhe vdekjen.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA