Rënia e ekonomisë me 3.3% vitin e kaluar për shkak të pandemisë ishte e pritshme, por shumë poshtë parashikimeve të ekspertëve vendas e të huaj.
Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se faktorët që kanë mbajtur këtë nivel të zbutur recesioni lidhen jo vetëm me shpenzimet e shtuara për shëndetësinë apo ecurinë pozitive të disa sektorëve si ndërtimi, por edhe me qarkullimin e parasë informale në vend.
“Janë 2 gjëra që tregojnë shifrat, shpenzimet jo vetëm për konsumin privat por edhe shpenzimet publike në raport me shëndetësinë dhe e dyta lidhet me ndërtimin, jo me rindërtimin . Pra, paraja informale që është aq e madhe që përmbysi situatën që çoi gati në rritje ekonomike.” Rezart Prifti, ekspert për ekonominë.
“I gjithë procesi i rindërtimit ka ndikuar sepse janë para të hedhura në ekonomi, ndikoi ndërtimi që vazhdoi aktivitetin në kushte normale. Nga ana tjetër ka një ristrukturim të shpenzimeve të qytetarëve e buxhetore që u orientuan në sektorin shëndetësor. Remitatancat zbutën poashtu recesionin pasi ishin një oksigjen për ekonominë, teksa ndikoi edhe mbyllja e kufijve pasi shqiptarët nuk nxorën para jashtë.” Adrian Civici, ekspert për ekonominë
Ekspertët janë skeptikë për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë, e cila sipas tyre do të ndikohet së tepërmi veç krizës, edhe nga zgjedhjet e 25 Prillit. Ata japin edhe parashikimi lidhur me rritjen ekonomike për këtë vit.
“Besoj që nuk do të jetë një vit me recesion, por me një rritje minimale ekonomike 1-3% . Por, gjithsesi ky proces varet edhe nga ekonomitë e rajonit e përtej rajonit. Natyrisht që ekonomia, biznesi e konsumi do reflektojnë edhe këtë konflikt politik të lartë.” Adrian Civici, ekspert për ekonominë
“Jemi në një vend me rënie të lirë, me një administratë të zhbërë. Nuk mund të them për pritshmëri të larta sepse nuk shikoj dritë në fund të tunelit deri nga shtatori tetori derisa të konfirmohen formacionet politike. Pa u konfiguruar këto ne do të shikojmë rënie të konsumit, rënie të tregtisë, investimeve. Nuk besoj që rritja ekonomike këtë vit të kapë dhe 0.” Rezart Prifti, ekspert për ekonominë
Qeveria ka parashikuar që këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet me 5.5% duke vënë theksin te procesi i rindërtimit si shtylla kryesore e rimëkëmbjes, teksa Banka Qendrore ka një parashikim më të ulët dhe prêt që ekonomia të zgjerohet me 4.9%.
Top Channel