Gazetari i Top Channel Andi Bora ka siguruar pamje nga laboratori i drogës në Lushnje që u zbulua nga policia ditën e djeshme.
Siç duket edhe nga pamjet ambienti është përshtatur si laborator, ku tre dhoma shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
Ndërkohë që policia sekuestroi fidanë kanabisi, pajisje të ndryshme elektrike dhe një armë gjahu, si dhe arrestuan edhe tre persona, dhe shpallën një kërkim një tjetër.
Të arrestuarit janë Fiqiri Dedej, Kreshnik Ibraliu, Klevis Likja. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së 53-vjeçarit Fiqiri Dedej, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën 170 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Top Channel